Të martën ka hyrë në fuqi marrëveshja ndërmjet Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) dhe Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), me ç’rast Kosova do të kontrollojë kufijt e vet energjetikë, duke dalë përfundimisht nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe duke iu bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike – Kosovë-Shqipëri.
Marrëveshja ishte nënshkruar më 30 qershor ndërsa të martën Grupi Rajonal i Evropës Kontinentale (RGCE) ka vlerësuar se marrëveshja i plotëson kushtet për të hyrë në fuqi.
.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një komunikate tha se ENTSO-E, vlerësoi që KOSTT ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara me marrëveshje dhe është e gatshme të operojë e pavarur nga Serbia.
“Nga e drejta jonë dhe mbështetja e miqve u bë i mundur pavarësimi energjetik”, tha kryeministri Hoti.
Kosova parasheh përfitime prej disa milionë euro në vit nga shkëputja përfundimtare me sistemin rregullues energjetik të Serbisë.
Kryeshefi Ekzekutiv në Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), Ilir Shala, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë, se nga viti 2008 e deri më 2019, shteti i Serbisë, sipas tij, në mënyrë joligjore ka shfrytëzuar rrjetin e transmisionit të Kosovës dhe ka mbledhur të hyra prej rreth 65 milionë euro.
“Në aspektin financiar apo komercial definohet dimensionimi i kapaciteteve energjetike brenda bllokut Kosovë – Shqipëri, ku sipas kalkulimeve të dakorduara, kursimet do të jenë rreth 4 milionë euro në vit. Për Operatorin e Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST) përfitimet do të jenë 1.4 milionë euro, ndërkaq për KOSTT-në 2.6 milionë euro”, ka thënë Shala.
Top Channel