Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri , Josep Borrell tha se dezinformimi është përhapur në Ballkanin Perëndimor, në Bashkimin Evropian dhe në të gjithë botën gjatë pandemisë së koronavirusit.

“Kjo ka qenë e rrezikshme për të gjithë ne. Mbi të gjitha, sepse gënjeshtrat për çështje mjekësore madje mund të vrasin”, tha Borrell në hapje të një konference ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për edukimin mediatik, njoftoi Shërbimi i Jashtëm i BE-së përmes një komunikate.

Borrell tha se duhet të ketë angazhim global për t’iu kundërvënë dezinformimit dhe se “duhet të identifikojmë burimet e keqinformimit dhe t’u sigurojmë qytetarëve fakte të besueshme, të sakta dhe në kohë”.

Shefi i diplomacisë evropiane, në fjalën e tij, përsëriti se “Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor”.

Aktualisht, nga vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Kroacia është vend anëtar i BE-së.

Negociatat për anëtarësim i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mbeten në pritje të nisjes së tyre, ndërsa Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë vetëm marrëveshje stabilizim asociimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.

Konferenca u organizua nga Delegacioni i BE në Sarajevë, Task Forca – EEAS Stratcom – për Ballkanin Perëndimor dhe organizata “Pse Jo” nga Bosnje dhe Hercegovina.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA