Spitalet në Itali regjistrojnë rritje të numrit të pacientëve me Covid

27/09/2020 15:13

Ndërsa bilanci global i viktimave të koronavirusit po shkon drejt 1 milionëshit, organizata botërore e shëndetësisë paralajmëron për mundësinë e një tjetër milionë viktimave nëse vendet dhe individët nuk do të bëhen bashkë për të luftuar virusin.

E goditur rëndë nga vala e parë e koronavirusit, Italia tani është një përjashtim në Evropë, me një numër të kufizuar rastesh të reja, edhe pse numri i pacientëve të shtruar në spitale, po rritet sërish.

Për momentin, ne kemi 86 pacientë me kovid të shtruar, 13 prej tyre janë në kujdes intensiv. Struktura jonë është thuajse në kapacitetin normal të saj dhe disa pacientë duhet të qëndrojnë në izolim. Kapaciteti total, përfshirë kujdesin intensiv, është 110 dhe duket se do të arrihet shpejt”.

Sipas mjekëve, ditët e fundit është parë një rritje e numrit të të infektuarve dhe pacientët me simptoma duhen shtruar në spital. Ata thonë se po përgatiten sidoqoftë për tu përballur me një numër akoma më të madh pacientësh. Mjekët bëjnë thirrje për kujdes të shtuar, veçanërisht tani që dimri po vjen, bashkë me gripin sezonal, kur edhe pritet një pik tjetër i epidemisë. Për të ndihmuar sadopak në zbutjen e situatës, ata bëjnë apel për vaksinim masiv për gripin. Një ditë më parë, Italia raportoi 1869 raste të reja të koronavirusit në 24 orë dhe 17 viktima. Numri i rasteve është rritur ndjeshëm por sidoqoftë qëndron shumë larg periudhës së kulmit të epidemisë. Ndonëse debatet mbi masat që duhen marrë për të frenuar infektimet janë të shumta, kryeministri italian, Giuseppe Conte thotë se e përjashton mundësinë e një izolimi të ri në shkallë kombëtare.

Top Channel