Reshjet e dendura të një nate më parë dhe mëngjesit të së shtunës kanë shkaktuar probleme në disa nga rrugët kombëtare. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka informuar përmes faqes së saj zyrtare në internet lidhur me situatën e përgjithshme të transportit rrugor, detar dhe ajror.
“Shi i dendur ka përshkuar vendin gjatë natës së djeshme, por pa krijuar probleme në rrugët kombëtare. Ka pasur rënie gurësh, apo degë pemësh të thyera, të cilat janë pastruar menjëherë nga kompanitë e mirëmbajtjes. Në të gjitha rrugët kombëtare qarkullimi vazhdon normalisht. Grupet e punës janë në terren duke mbajtur situatën në kontroll”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës.
Lidhur me situatën në portet e vendit, MIE njofton se nuk ka pasur përmbytje ao dëme të tjera. Në Portin e Durrësit tragetet kanë mbërritur në orar, ndërsa nisja nga Durrësi drejt Barit është bërë me rreth 7 orë vonesë për shkak të erës së fortë dhe detit me forcë 7 shkalla Boufort. Në terminalin lindur dhe atë të kontinerëve nuk ka probleme me përpunimin e anijeve, pork a pasu një pezullim të përkohshëm të përpunimit në Terminalin Perëndimor
Në Portin e Vlorës, për shkak të erës së fortë dhe detit të trazuar dje nuk janë nisur tragetet e linjës, ndërsa sot gjendja është normalizuar dhe do të rinisë lëvizja e tragetit. Sipas MIE, edhe në Portin e Sarandës situata ka qenë në kontroll dhe pa probleme madhore.
Situatë normale është paraqitur edhe në Aeroportin “Nënë Tereza”. Në njoftimin e MIE thuhet se nuk ka pasur përmbytje, apo situata në tokë që mund të ndikonin operimin e aeroportit. Ndërsa një avion i drejtuar për në Shkup, për shkak të kohës së keqe atje është ulur në Aeroportin e Tiranës, si aeroport alternativ.
Top Channel