Eulex, arrestime për dosjet e Hagës/ Policia bastis selinë dhe zyrat e veteranëve të UÇK

26/09/2020 00:46

Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati u arrestua në zyrat e kësaj organizate në Prishtinë nga pjesëtarë të Zyrës së prokurorit të Specializuar në Hagë dhe Misionit Evropian për Sundimin e Rendit dhe Ligjit (EULEX), dhe shumë pak pas tij, zyrtarë të kësaj prokurorie bashke më policinë e Kosovës kanë ndaluar edhe nënkryetarin e OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Vetëm pak përpara se të ndodhtë ndalimi i tij, Haradinaj ishte shprehur se ai vetë do t’i dorëzohej vetëm pjesëtarëve të Policisë së Kosovës pasi siç tha, “ Gjykatën Speciale nuk e njohin dhe do të punojnë gjithmonë kundër saj”. Ende nuk dihen arsyet e shoqërimit të Haradinajt, e as prangosjes së Gucatit.

Pas arrestimit të Gucatit, avokati i kësaj organizate Tomë Gashi, i tha REL se: “Nuk ka gjasa që rasti ka të bëjë me krime lufte, sepse ai kurrë nuk është marrë në pyetje më herët dhe ndoshta është ndaluar për atë që gjykata e konsideron si pengim të drejtësisë”. Avokati Gashi ka shkruar në rrjetin social Facebook se Gucati do të transferohet në Hagë, ndërkohë që bastisjet nga EULEX-i në zyrat e OVL të UÇK-së, vazhdojnë. Kryetari i shoqatës së familjeve të dëshmorëve, Xhavit Jashari reagoi ashpër ndaj kësaj situate, duke thënë se nuk do të lejojnë spektakle të tilla.

Grupe qytetarësh u mblodhën përpara zyrës së OVL-së duke shprehur pakënaqësi ndaj bastitjes së saj. Arrestimi i Gucatit vjen një ditë pas ndalimit të të Salih Mustafës, njëri prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit, pas konfirmimit të aktakuzës kundër tij. EULEX-i i ka dhënë përkrahje operacionale dhe logjistike Zyrës së prokurorit të Specializuar edhe në këtë arrestim.

Top Channel