Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, është vënë në pranga këtë të premten. Arrestimi i Gucatit është bërë në zyrat e organizatës që ai drejton nga pjesëtarë të Misionit Evropian për Sundimin e Rendit dhe Ligjit (EULEX).

Kamerat kanë fokusuar Gucatin me pranga në duar teksa del i shoqëruar nga forca të shumta të EULEX nga zyrat e OVL të UÇK-së dhe duke hyrë në një makinë. Dhomat e Specializuara ka reaguar pas disa orësh që nga arrestimi i Gucatit, duke thënë se ai u vu në pranga për pengim të drejtësisë dhe frikësim të dëshmitarëve.

Avokati i OVL-së së UCK-së, Tomë Gashi në një telefonatë për Top Channel ka treguar se Gucati  ende nuk ka caktuar avokat mbrojtës. Ai ka përmendur dy avokat të mundshëm amerikan që mund ta përfaqësojnë Gucatin, megjithëse ka shtuar se kjo pritet të caktohet javën e ardhshme.

Gucati mësohet se po transferohet në Hagë, ndërkohë që bastisjet nga EULEX-i në zyrat e OVL të UÇK-së po vazhdojnë.

“Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK-së është nisur për në Hagë.” kjo deklaratë ka ardhur nga Metush Kryeziu pjesëtar i organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK.  Ai tha se për këtë lajm janë njoftuar nga familjarët e Gucatit. Ndërsa tha se si OVL- UÇK nuk kanë bërë thirrje për t’u tubuar veteranët sepse përndryshe do të ishte bllokuar dhe do ishte rënduar situata.

“Iu bëjmë thirrjeve institucioneve tona të reagojnë dhe mos të rëndohet situata”, tha ai.

Në vendin e ngjarjes janë parë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Kujtojmë se një ditë më parë u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar Salih Mustafa një prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit.

Ndërkohë ashtu siç bëri bujë në media, Shoqata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tri herë në javët e fundit, ka njoftuar se një person anonim ka dorëzuar tek ajo “mijëra dosje që përmbajnë emrat dhe adresat e dëshmitarëve”. Këto dokumente, sipas saj, janë nga Haga.

Përmbajtja e tyre është e panjohur dhe ende nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike, apo kopje.

Të martën, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka thënë se disa aktivitete në të cilat është përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur“.

Kjo zyrë po ashtu ka thënë se “është e angazhuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht, me forcë, individë që kryejnë krime të tilla, që përfshijnë publikimin e identitetit të individëve që mund të thirren para gjykatës apo të ndonjë informacioni që mund të çojë në identifikmin e tyre“.

FOTO GALERI
1/20

Top Channel