Drejt 1 milionë viktimave! Djali ende në zi për prindërit

25/09/2020 14:30

Në ditët në vijim, numri i viktimave të koronavirusit në të gjithë globin, do të kalojë 1 milionë.

Në këtë rekord të zymtë, agjencia e lajmeve AFP, sjell historitë e njerëzve që mbajnë zi për familjarë, miq dhe pacientë në të gjithë botën. Karlo Chiodi, një shofer kamioni nga një qytezë e vogël në provincën e Bergamos, në Itali, ka humbur dy prindërit e tij, në harkun kohor të pak ditëve, pasi u infektuan me covid 19. Në gusht, ai u prit në një takim privat në Vatikan, nga papa Francesku, të cilit ai i shprehu zemërimin e tij. Ende në dhimbjen dhe zinë e tij, ai thotë se dikush duhet të paguajë për mënyrën se si kriza u menaxhua në Itali.

Carlo Chiodi: Ajo që nuk mundem ta pranoj është se pashë babain tim të dilte nga shtëpia, të ngjitej mbi ambulancë dhe gjithçka që unë munda t’i thosha ishte mirupafshim. Më vjen keq që nuk munda t’i them se e dua. Më vjen keq që nuk munda ta përqafoja. Kjo më lëndon shumë. Prindërit e mi ishin vetëm dhe të braktisur

Provinca e Bergamos, ku Chiodi jeton, është një nga më të goditurat në Itali.

Chiodi kujton se përveçse nuk mund të vizitonte prindërit e tij në spital, ai ishte i detyruar të qëndronte edhe larg bashkëshortes dhe fëmijëve për javë të tëra në mënyrë që të mos i infektonte ata, pa e ditur madje as nëse ai ishte infektuar apo jo. Ai tani, viziton varrezat në Costa di Mezzate, atje ku prindërit e tij prehen, thuajse çdo ditë.

“Gjëja e parë që i thashë papa Franceskut është se isha i zemëruar me zotin. Ai më pa dhe më tha se kisha arsye të isha i zemëruar dhe se kjo ishte një lloj lutjeje. Ai po ashtu ishte i zemëruar pasi nuk mund të bënte asgjë…

Kur ajo që më ndodh mua, i ndodh dikujt, mund të humbasësh besimin tek zoti, ose ta forcosh atë. unë e forcova besimin, thotë ai pavarësisht se nuk resht së menduari se për faj të kujt ndodhi kjo tragjedi“.

Top Channel