Protestat e dhunshme në SHBA, plagosen dy oficerë policie

24/09/2020 12:10

Dy oficerë policie janë qëlluar në mesin e protestave të mëdha në qytetin amerikan të Luisvillit, pasi juria në një gjykatë vendosi se asnjë polic nuk do të përballej me akuza për vrasjen e një gruaje afro amerikane, të paarmatosur, Breonna Taylor.

26 vjeçarja Taylor, punonjëse në një spital, u qëllua disa herë ndërsa tre oficerë hynë për një kontroll në shtëpinë e saj më 13 mars. Njëri prej tyre, Brett Hankison, u akuzua jo për vrasjen e Taylor por rrezikim të panevojshëm, pasi qëlloi në apartamentin e një fqinji në Luisvill.

Dy oficerët e tjerë nuk do të akuzohen për asgjë. Rastet e vrasjes së afro amerikanëve të paarmatosur nga policia kanë ndezur zemërim në të gjithë shtetet e bashkuara duke u përshkallëzuar veçanërisht pas vdekjes së George Floyd në duart e policisë në Minneapolis, në maj.

Shefi i policisë në Luisvill tha ndërkohë se policët e qëlluar në protestën e të mërkurës nuk kishin plagë të rënda. Ai shtoi se një i dyshuar ishte arrestuar. Gjendja e emergjencës është shpallur në Luisvill dhe roja kombëtare është dislokuar atje. Kryebashkiaku kishte shpallur ndalim qarkullimi në qytet nga ora 21 deri në 6 të mëngjesit për tre ditë. Por pavarësisht masave, turmat u mblodhën pas orës 21,00. Protesta kundër veprimit të gjykatës u mbajtën po ashtu edhe në Nju Jork, Uashington, Atlanta dhe Chikago.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA