Vidal largon Nainggolan, Interi dhe Cagliari pranë marrëveshjes së transferimit

23/09/2020 00:26

Cagliari pritet të prezantojë zyrtarisht sot mbrojtësin uruguaian Diego Godin, i cili kaloi me sukses vizitat mjekësore pasditen e djeshme dhe u nis menjëherë për në Sardenjë, për t’u vënë nën urdhrat e trajnerit Eusebio Di Francesco.

Megjithatë klubi sard nuk ka ndërmend të ndalet dhe objektivi i radhës është mesfushori belg Radja Nainggolan, i cili ishte pjesë e Cagliarit edhe sezonin e kaluar në huazim, por tani po stërvitet nën urdhrat e Antonio Contes.

Afrimi i Arturo Vidal te Interi e ka nxjerrë të tepërt fantazistin belg, që aktualisht peshon plot 18 milionë euro në bilancin e klubit zikaltër dhe me Cagliarin po negociohet për një zgjidhje që të kënaqë të dy skuadrat.

Kështu propozimi më i fundit i Interit është huazimi për 3 milionë euro, me detyrim blerjeje për 9 milionë euro verën e ardhshme, për të arritur një total prej 12 milionë eurosh, ndërsa tani mbetet për t’u parë gatishmëria e sardëve për të paguar këtë shifër.

Menaxheri i Nainggolan, Alessandro Beltrami është vënë në punë prej ditësh dhe pritet të takojë sot edhe presidentit e Cagliarit, Giullini, për të negociuar formulën e transferimit të mesfushorit belg.

Edhe vetë trajneri i Cagliarit, Di Francesco e pranoi se pret Nainggolan si dhuratën e fundit nga merkatoja, për të ndërtuar një skuadër që do të jetë e aftë të sigurojë një vend në kupat e Europës.

Nga ana tjetër zikaltrit do të liroheshin nga një futbollist që jo vetëm nuk bën pjesë në planet e klubit, por edhe u kushton shumë arkave të tij, pasi ka një pagë të majme prej 4.5 milionë eurosh neto në sezon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA