Kosovë/ ​Arrestohet një person, përgatiti 50 mijë euro fals për t’i hedhur në treg

23/09/2020 17:46

Policia e Kosovës, pas pranimit të informacioneve dhe hetimeve të zhvilluara, sot ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale falsifikim i parasë në bankënota të ndryshme 5, 10 dhe 20 euro.

Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Prishtinë ka ndërmarrë veprime të menjëhershme hetimore dhe operative, ku dhe është kuptuar se L. A. mashkull/ kosovar është në përgatitje të një shume prej 50.000 euro para të falsifikuara, për t’i lëshuar në treg.

Në lidhje me rastin është kontaktuar prokurori kompetent dhe gjyqtari i procedurës ku nga dhe është dhënë urdhri verbal për kontrollim të lokacionit ku dyshohej se po prodhoheshin paratë e falsifikuara.

Gjatë realizimit të kontrollit në lokacionin e dyshuar njësitë policore kanë gjetur dhe sekuestruar një printer së bashku me pesë euro të ngjitura në faqen printuese, 65 copa letër A4 me para të falsifikuara në të dy anët, 202 copa letër A4 me nga 5 euro në të dy anët, 44 kartëmonedha nga 20 euro që dyshohet se janë të falsifikuara, 74 kartëmonedha nga 10 euro që dyshohet se janë të falsifikuara, 160 kartëmonedha nga 5 euro që dyshohet se janë të falsifikuara, një kartëmonedhë prej 50 euro që dyshohet se është e falsifikuar, foli me shenjë të sigurisë së parave dhe dy telefona mobilë.

Në konsultim me prokurorin kujdestar të PTH-Prishtinë, i dyshuari dërgohet në ndalim për 48 orë.

Top Channel