Në Gjykatën e Lartë po vërshojnë dosjet përditë, por jo gjyqtarët që duhet t’i shqyrtojnë. Tanimë stoku ka shkuar 36 mije e 110 çështje që presin.
Por Gjykata e Lartë e cila sipas ligjit të vjetër duhet të ketë 19 gjyqtarë, vazhdon me vetëm tre gjyqtarë.
KLGJ ka përpiluar një udhëzues se si do ta zhbllokojë situatën, ku parashikohet edhe ngritja në detyrë e gjyqtarëve duke shmangur vettingun nga KPK në rast se KPK e vonon kontrollin e trefishtë të kandidatëve meë tepër se tre muaj.
Në këtë udhëzues që Top Channel e disponon KLGJ pohon se mund ta kryejë vetë vettingun në rast vonesash.
Por teksa që prej muajit prill atëherë kur u emëruan, gjyqtarët supreme Ilir Panda, Sokol Sadushi dhe Ervin Pupe kanë vendosur në dhoma këshillimi për 1090 dosje, për kandidatin Dariel Sina që synon vendin e katërt nga radhët e jashtë gjyqësorit s’ka ende një vendimmarrje.
Në mbledhjet e fundit anëtaret e KLGJ e kanë lidhur vonesën për shqyrtimin e kësaj kandidature me situatën e covid 19 që solli mbledhje online. Në këtë pikë në udhëzuesin për KLGJ qeveria e gjyqësorit i ka vendosur afat vetes për ta zgjidhur vonesën brenda muajit shtator e për të gjetur në këtë mënyrë një ambient ku anëtarët do shprehen përballë se çfarë do vendoset për Dariel Sinën, njëkohësisht komisioner publik. Për kandidatin e katërt ka reaguar më herët edhe presidenti që e konsideron të pamotivuar dhe të pajustifikuar vonesën .
Ndërkohë për 11 vendet e tjera vakante kanë kandiduar 23 gjyqtarë mes të cilëve një numër i lartë gjyqtaresh të posaçëm kundër korrupsionit, që kanë kaluar vettingun dhe që në rast ” shtegtimi” në Supreme do të fusin në krizë gjykatën Antikorrupsion. Nga ana tjetër ministrja e drejtësisë kërkoi ndryshim të ligjit zgjedhor për të promovuar edhe gjyqtarët e kolegjit , shtatë prej të cilëve kanë shfaqur interes , por që pas shortit u ndërpritet kjo ëndërr.
Nga pikëpamja e KLGJ sipas shkresës që Top Channel disponon, gjyqtarët janë dekurajuar të tregojnë ambicien drejt gjykatës së lartë nga frika e vettingut, një fenomen që vlerësohet i tillë edhe për garën drejt gjykatës së posaçme. Qe të dyja vlerësohen në gjendje emergjente, por plotësimi i Supremes është vendimtar mbasi kërkohet dy të tretat e saj për të çelur dritën jeshile edhe për Kushtetuesen.
Anila Hoxha
Top Channel