Kampionati më i fortë i futbollit në planet do të vazhdojë të bëjë pa pjesën më emocionuese të tij, tifozët, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Kryeministri Boris Johnson ka konfirmuar se planet që tifozët të kthehen për të parë evenimentet sportive në Angli nga 1 Tetori nuk do të ecin momentalisht, për shkak të numrit të shtuar të të infektuarve.
Niveli i alarmit të Mbretërisë së Bashkuar për Covid-19 është zhvendosur në nivelin 4, që do të thotë se transmetimi është “i lartë ose në rritje në mënyrë eksponenciale”.
“Ne duhet të pranojmë që përhapja e virusit po ndikon tani në aftësinë tonë për të rihapur për publikun, ngjarje të mëdha sportive. Ne nuk do të jemi në gjendje ta bëjmë këtë nga 1 Tetori dhe unë jam i vetëdijshëm për implikimet që do të ketë në klubet tona sportive, të cilat janë jeta dhe shpirti i komuniteteve tona. Kancelari dhe sekretari i kulturës po punojnë urgjentisht në atë që mund të bëjmë tani për t’i mbështetur klubet”- tha Johnson.
Kryeministri gjithashtu tha se kufizimet aktuale ka të ngjarë të qëndrojnë në fuqi për gjashtë muajt e ardhshëm. Programi pilot, i cili do të provonte evente sportive deri në 1000 spektatorë, është ndalur gjithashtu nga Xhonson. Shumica e sporteve në Angli janë luajtur me dyer të mbyllura që nga shpërthimi i koronavirusit në Mars, duke përfshirë futbollin e Premier League, finalen e Kupës FA, ndeshjet e kriketit Test të Anglisë dhe dy gara të Formula 1 në Silverstone.
Top Channel