Një rrugë në Tiranë merr emrin e arkitektit të njohur, Agron Jano, Veliaj: “Kujtojmë ata që lanë shenjë në qytet”

22/09/2020 13:59

Rruga pranë Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës do të mbajë emrin e Agron Janos, arkitektit të njohur që kontribuoi jo vetëm për rikonstruksionin e objekteve me vlera historike, por për 35 vjet u dha mësim profesionistëve të rinj.

Familjarë, miq dhe kolegë të arkitektit Jano u pritën nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili në mënyrë simbolike i dorëzoi bashkëshortes dhe djalit, medaljen dhe një kopje të tabelës me emrin e rrugës. “Jam shumë i lumtur që, për 100-vjetorin e Tiranës, rruga përbri fakultetit ku kalojnë studentët do të mbajë emrin e Agron Janos. Me shumë mirënjohje, në emër të qytetit të Tiranës dhe të Këshillit Bashkiak, ju dhuroj këtë medalje. Kujtimi i Agronit qoftë i paharruar dhe besoj, së bashku do na ndihmoni ta tregojmë historinë e tij”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se ky vit jubilar për Tiranën Kryeqytet është edhe një moment për të përkujtuar personalitete që lanë shenjë në qytet. “Ai investoi dhe i kushtoi pjesën më të madhe të jetës Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, ndihmoi në krijimin e arkitekturës moderne pas viteve ‘90, të arkitekturës së lirë, së cilës iu desh të përballej me sfidat e tranzicionit, me debatet e lëvizjeve demografike. 100-vjetori i Tiranës është një çast për të ëndërruar se çfarë duam të jetë Tirana e 100 viteve të ardhshme, për ambiciet e saj, vizionin, projektet e mëdha duam, por është edhe një moment për të kthyer kokën mbrapa, për të kujtuar ata njerëz që lanë shenjë në Tiranë”, tha ai.

Agron Jano ka qenë edhe kryetar i Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë, ndërsa ka hapur disa ekspozita pikture, në grafikë, vaj, por edhe teknika të tjera, në Shqipëri dhe jashtë saj, kryesisht në Itali, Greqi e Kosovë. Në emër të familjes dhe miqve, bashkëshortja e tij, Kristina, falenderoi kryebashkiakun Veliaj për vlerësimin. “Ju falenderoj që emrin e Agronit e bëtë pjesë të onomastikës urbane të qytetit të Tiranës, që nuk është qyteti i lindjes së Agronit, por u bë qyteti i tij sepse këtu u shkollua, zhvilloi veprimtarinë e tij profesionale dhe ishte qyteti i zemrës së tij. Ju falenderoj që emrin e Agronit e nxorët nga kujtesa e një rrethi të ngushtë njerëzish, miqsh, shokësh, njerëz të afërt, profesionistë, dhe e futët në kujtesën e komunitetit të qytetarëve të Tiranës”, tha ajo.

Agron Jano njihet edhe si organizatori i të parave panaire në Shqipëri, dhe ka realizuar disa ekspozita personale në Tiranë, Fier, si dhe në Como e Milano.

Top Channel