Kavajë- Policia ka publikuar pamjet e arrestimit të Riza Aliut i cili plagosi me thikë në një lokal në Kavajë, fqinjin e tij Besnik Çelmeta dhe pronarin e lokalit shtetasin M. A., i cili ka ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit..
Ngjarja e rëndë ndodhi më datë 16.09.2020. Mbi 45-vjeçarin e arrestuar rëndojnë akuzat “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Top Channel ka siguruar edhe videon e momentin, ku Riza Aliu edhe pse në sytë e një fëmije, godet me grushte dhe më pas qëllon me thikë disa herë fqinjin e tij Besnik Çelmeta.
Njoftimi i policisë:
Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 16.09.2020, në një lokal, ku mbetën të dëmtuar me mjet prerës (thikë) dy shtetas.
Ndalohet 45-vjeçari i shpallur në kërkim për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, menjëherë pas njoftimit se në Kavajë, në ambientet e një lokali po konfliktoheshin disa shtetas dhe për pasojë dy prej tyre ishin plagosur me mjet prerës (thikë), menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe kapjen a autorit.
Si rezultat e një pune të pandërprerë për kapjen e tij, nga shërbimet e Policisë Kavajë u bë e mundur kapja dhe vënia në pranga e autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit R. A., 45 vjeç, banues në Kavajë.
Ky shtetas, më datë 16.09.2020, dyshohet se pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës thikë shtetasin B. Ç. dhe pronarin e lokalit shtetasin M. A., i cili ka ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel