I dërguari i Trump në Kosovë/ Grenell: Nuk duam fjalë boshe

22/09/2020 00:48

Për ta vënë sa më shpejtë në zbatim marrëveshjen e Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë, emisari amerikan për dialog, Richard Grenell zhvilloi një vizitë tjetër në Prishtinë. Me vete kishte edhe 13 anëtarë, udhëheqës të departamenteve të shtetit, korporata për financim dhe agjenci.

Ata u pritën nga Kryeministri, Avdullah Hoti i cili i shoqëroi drejt sallës së takimit mes dy delegacioneve shtetërore.

Ky takim u finalizua me një deklaratë zotimi për realizimin e projekteve që burojnë nga marrëveshja e 4 shtatorit, që u nënshkrua nga Hoti dhe kryeshefi i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA, Adam Boehler. Për këtë kontribut, Grenell u dekorua nga Presidenti me “Medaljen Presidenciale të Meritave”.

Para gazetarëve, Grenell tha se në Kosovë do të bëjnë investime serioze dhe jo deklarata politike, për këtë në muajt në vazhdim do të vij një delegacion tjetër amerikan për t’i kryer dy studime fizibiliteti në fushën e energjisë që do sjellin mijëra vende pune.

Nuk duam fjalë të zbrazëta por duam t’i tregojmë popullit të Kosovës që jemi aleat. Zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës dhe energjia reale që do të krijohet do të ndryshoj peizazhin politik të rajonit. Që nga fillimi Presidenti Trump ka kërkuar që të gjejmë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë që bazohet në krijimin e vendeve të punës”- tha Grenell.

Ndërsa kryeshefi i DFC-së, tregoi për investimet që do të bëhen. “Marrëveshja që kemi nënshkruar sot ka qenë zotim për të përshpejtuar investimet në Kosovë. Ne kemi qenë duke punuar në përgatitjet për mundësitë e asaj që ndodhi disa javë më parë. Kemi punuar me ambasadën tonë dhe kemi projekte në vlerë deri në 1 miliard dollarë. Aty përfshihet Autostrada e Paqes, hekurudha, gazi natyror. Kemi biseduar edhe për mundësinë e investimit në një resort të skijimit. Po ashtu do të ofrojmë mbështetje për bizneset e vogla dhe të mesme”- tha Boehler.

Kryeministri kosovar theksoi se kjo vizitë tregon përkushtimin e administratës Trump për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Pas përfundimit të takimit, delegacioni amerikan do të udhëtoj drejt Beogradit, e më pas drejt Greqisë dhe Izraelit.

Top Channel