Kjo e hënë shënon 1 vit nga tërmeti i 21 shtatorit. Atë pasdite hyrja për në Urgjencën e Spitalit të Traumës ishte plot me ambulanca dhe makina të cilat sillni persona të plagosur që ishin hedhur nga ballkonet për t’i shpëtuar tërmetit.

Rreth 150 persona të plagosur u sollën te ky spital dhe ai i Durrësit, por që peshën me të madhe e mbajti Trauma për trajtimin e të plagosurve, por që fatmirësisht pa viktima.

Tërmeti i pasditës së 21 shtatorit, u regjistrua me një magnitudë 5.8, dhe sipas bilancit zyrtar u dëmtuan mbi 1500 shtëpi, pallate dhe shkolla, kryesisht në zonën e Tiranës edhe Durrësit, aty ku ishte edhe epiqendra e tij. Paniku do të ishte i madh tek njerëzit. Me mijëra qytetarë, dolën nga banesat e tyre. Një pjesë vendosën të largoheshin nga qytetet e prekura nga tërmeti, ndërsa një pjesë tjetër vendosën ta kalonin natën jashtë.

Në Durrës, Ministria e Mbrojtjes vendosi çadra tek stadium i qytetit, me qëllim që një pjesë e qytetarëve të kalonin natën brenda tyre.

Por një ditë më pas, situata do të tensionohej me tej pas publikimit të një lajmi të rremë nga portal Syri.net, ku thuhej se pas orë 23 të mbrëmjes do të kishte një tërmet tjetër edhe më të fuqishëm. Paniku tek qytetarët e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit ishte i madh, çka i detyroi ata të dilnin nga shtëpitë e tyre, ose të largoheshin nga qyteti. Pas këtij lajmi, një pjesë e portaleve u vendosën nën hetim për përhapje paniku.

Tërmeti i 21 shtatorit ishte më i madhi i 30 viteve të fundit deri në atë moment, ndërsa më e keqja do të vinte në 26 nëntor, nga një tjetër tërmet me magnitudë 6.4, e ku humbën jetën 51 qytetarë që mbetën të bllokuar nën rrënojat e banesave dhe pallateve të shembura.

 

 

Top Channel