Irani në valën e tretë të pandemisë/ Mbi 3 mijë të infektuar në ditë, shifra më e lartë që nga shkurti

19/09/2020 01:58

Irani duket se ka hyrë në valën e tretë të koronavirusit me numrin e infektimeve të reja në mbi 3 mijë në ditë, shifër kjo më e larta që kur virusi u shfaq në vend në shkurt. Irani ishte një nga vendet e para në botë, jashtë Kinës, që u prek nga koronavirusi.

Zyrtarët e tij e vendosën sëmundjen nën kontroll në fillim të majit por përjetuan një shtim të rasteve në qershor, që shkoi në më pak se 1600 raste të reja në ditë në fund të gushtit.

Sipas shifrave të fundit të publikuara të premten nga Departamenti Iranian i Shëndetësisë 144 persona kanë humbur jetën dhe 3049 raste të reja janë regjistruar në 24 orët e shkuara. Numri total i viktimave të konfirmuara nga Covid-19 në Iran është në 23952 dhe 28 provinca në vend, përfshirë Teheranin, janë klasifikuar si zona të kuqe.

Shkollat dhe universitetet janë rihapur në vend po është lënë në duart e prindërve nëse duan ti çojnë fëmijët në klasë dhe në shumë raste këta të fundit kanë zgjedhur ti mbajnë në shtëpi. Shumë iranianë druajnë për një katastrofë shëndetësore këtë dimër ndërkohë që presidenti Hassan Rouhani thotë se po punojnë për rritjen e kapaciteteve në spitale. Më shumë se 400 mijë iranianë zyrtarisht janë prekur nga virusi edhe pse këto shifra janë parë gjerësisht si të minimizuara.

Top Channel