Serbia kushtëzon bisedimet/ Kërkon asociacionin në tryezë. Skënder Hyseni kundër zëdhënësit të BE

18/09/2020 00:17

Kreu i delegacionit të Beogradit në bisedimet me Kosovën, Marko Gjuriq, tha të enjten në Bruksel se pala serbe kushtëzon përparimin në dialog me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë.

Pas përfundimit të bisedimeve ndërmjet dy delegacioneve, ku është diskutuar për pretendimet financiare mes dy vendeve, Gjuriq tha se “një takim i mundshëm në të ardhmen i nivelit më të lartë mes dy vendeve, do të varet nga gatishmëria e Prishtinës për të punuar në zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin”. Ndërkohë, kreu i delegacionit të kosovës, Skënder Hyseni, tha më herët se e ka kundërshtuar hapjen e bisedimeve për Asociacionin.

Ai tha ndërkohë tha se palët kanë qëndrime shumë të kundërta për temën e pretendimeve financiare, e cila është diskutuar të enjten duke këmbëngulur se Kosova kërkon që #ështjet e suksesionit të zgjidhen në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, mbështetur në praktikat e ndjekura nga entitetet e ish-jugosllavisë.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, shkroi në rrjetin social Twitter, se diskutimet mbi pretendimet e ndërsjella financiare dhe pronën, kanë konfirmuar ndjeshmërinë e kësaj çështjeje. Ai tha se diskutimet do të vazhdojnë, mirëpo pa dhënë detaje se kur do të jetë data tjetër e takimit. Më herët, zëdhënësi i Bashkimit Evropian për çështje të jashtme, Peter Stano, tha se tema lidhur me “aranzhimet për komunitetet joshumicë” do të jetë në rend dite në ditët në vijim, pa dhënë detaje tjera.

 “Marrëveshja per krijimin e asosacionit të komunave me shumicë serbe ekziston dhe pala kosovare duhet të vijë me një propozim për zbatimin e saj”- tha Stano.

Por, Hyseni tha se kjo deklaratë është e nxituar dhe se “nuk ka pajtim që të bisedohet për Asociacionin dhe as për datat kur do të bisedohet”.

Top Channel