Si të mos mjaftonin problemet me futbollistët e skuadrës kush i ndarë në shtëpi e kush i detyruar të qëndrojë përkundër vullnetit, te skuadra e Barcelonës shtohet një tjetër ngërç ligjor. Ish trajneri Kike Setien që u shkarkua këtë verë pasi dështoi të përmbushë objektivat e klubit katalanas, ka hedhur në gjyq shoqërinë blaugrana, pasi kishte një kontratë deri në vitin 2022.

Tekniku iberik që u shkarkua pas disfatës ndaj Bajernit në Ligën e Kampioneve nuk e kapërdiu dot mënyrën sesi iu komunikua vendimi, dhe për më tepër pa asnjë akord paraprak ekonomik. Kështu Kike Setien ka ndërmarrë një aksion ligjor ndaj Barcelonës nga e cila shpreson të fitojë të paktën 5 milionë Euro.

Por nuk është vetëm ky problem që i shtohet ngërçit të skuadrës katalanase këtë sezon. Mungesa e akordit me Setien ndalon federatën spanjolle ti japë lejekalimin trajnerit të ri Ronald Kuman në pankinën e Barcelonës. Kështu holandezi për një burokraci mund të mos jetë në gjendje të debutojë në 27 shtator me skuadrën blaugrana, në një kohë që në sfond janë polemikat e brendshme për shkakimin e presidentit me peticionin që ka arritur në 20 mijë firma.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA