Ndikimi i COVID-it në ekonomi, Sejko mbledhje me misionin e FMN-së: Lehtësimi i masave solli reduktimin e efektit të pandemisë

18/09/2020 11:10

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka zhvilluar një mbledhje online me Yan Sun, shefen e Misionit të FMN-së për Shqipërinë ditën e sotme, për të diskutuar mbi ecurinë e ekonomisë shqiptare, zhvillimet në sistemin financiar, ndikimin e pandemisë në ecurinë ekonomike dhe pritjet për rimëkëmbjen gjatë periudhës në vijim.

Sejko tha se Shqipëria është në efektin e fortë të pandemisë, por me relaksimin e masave në 3-mujorin e dytë u krijuan premisat që efekti i pandemisë të reduktohej dhe të shoqërohej edhe me një rimëkëmbje.

Shefja e FMN-së, Sun  ofroi mbështetje që në vitin 2022 inflacioni në Shqipëri të kthehet në objektiv.

Guvernatori theksoi se Banka e Shqipërisë ka rritur stimulin monetar, nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit dhe rritjes së injektimeve të likuiditetit, duke synuar uljen e kostove të financimit dhe rritjen e masës monetare në ekonomi pasi kjo mënyrë mbetet një element vendimtar në zbutjen e pasojave negative të krizës.

Diskutimet mes tyre do të vijojnë  dhe gjatë ditëve të ardhshme.

Njoftim për shtyp nga BSH:

Guvernatori Sejko zhvilloi një mbledhje online me Misionin e FMN-së për Shqipërinë. Në datën 17 shtator 2020, në kuadër të Monitorimit Post-Programor, Guvernatori Gent Sejko dhe përfaqësues të tjerë të Bankës së Shqipërisë, zhvilluan një takim online me zj. Yan Sun, shefe e Misionit të FMN-së për Shqipërinë. Diskutimet e këtij takimi u fokusuan në ecurinë e ekonomisë shqiptare, zhvillimet në sistemin financiar, ndikimin e pandemisë në ecurinë ekonomike dhe pritjet për rimëkëmbjen ekonomike gjatë periudhës së ardhshme. Gjatë takimit, Guvernatori Sejko u shpreh se ekonomia shqiptare ka qenë nën efektin e fortë të pandemisë gjatë gjysmës së parë të vitit, e cila ka dhënë ndikimin e saj në konsum, në investime, në punësim dhe në borxhin publik. Megjithatë, pandemia e gjeti sektorin financiar dhe atë bankar të mirëkapitalizuar e likuid dhe këto parametra kanë vijuar të ruhen të shëndetshëm. Më tej, Guvernatori shtoi se relaksimi i masave të distancimit social gjatë fundit të tremujorit të dytë, si dhe stabiliteti monetar dhe financiar i vendit, kanë krijuar premisa që efekti i pandemisë në ekonomi të vijë progresivisht drejt reduktimit, duke u shoqëruar me një rimëkëmbje graduale të aktivitetit ekonomik në periudhën në vijim. Në përgjigje të kësaj krize, Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë ka rritur stimulin monetar, nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit dhe rritjes së injektimeve të likuiditetit, duke synuar uljen e kostove të financimit dhe rritjen e masës monetare në ekonomi. Po ashtu, në bashkëpunim me industrinë bankare, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë ndryshime të kuadrit rregullator, të cilat kanë lehtësuar shtyrjen e përkohshme të pagesës së kësteve dhe ristrukturimin e kredive bankare për klientët në vështirësi. Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi se qëndrimi i politikës monetare ka qenë dhe mbetet i përshtatshëm, duke ofruar stimujt e nevojshëm për nxitjen e rritjes ekonomike dhe për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022. Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë do të mbetet e angazhuar njëkohësisht edhe në forcimin e mëtejshëm të sistemit financiar, në bashkëpunim dhe me agjencitë e tjera relevante rregullatore, si dhe në përafrimin e mëtejshëm të kuadrit tonë mbikëqyrës e rregullator me standardet e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore dhe parimet e Komitetit të Bazelit. Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se rimëkëmbja e ekonomisë shqiptare në afatin e shkurtër mbetet sfiduese, si pasojë e efekteve negative nga tërmeti i vitit të kaluar, si dhe atyre të pandemisë globale COVID-19. Megjithatë, ekonomia shqiptare pritet të rifillojë rimëkëmbjen në vitin 2021. Banka e Shqipërisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dakordësuan se stimuli i koordinuar fiskal, monetar dhe financiar, ka qenë dhe mbetet një element vendimtar në zbutjen e pasojave negative të krizës. Në përfundim, misioni i FMN-së falënderoi palën shqiptare për diskutimet e hapura dhe të frytshme. Diskutimet në kuadrin e Monitorimit Post-Programor do të vazhdojnë dhe gjatë ditëve të ardhshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA