Miçigani, një shtet fushëbeteje në zgjedhjet presidenciale

18/09/2020 21:01

Miçigani është njëri nga disa shtetet e ashtuquajtura fushë-betejë që mund të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të këtij viti.

Presidenti Donald Trump fitoi me rezultat të ngushtë në këtë shtet në vitin 2016, por sondazhet e tanishme flasin për epërsi të rivalit të tij demokrat, ish-nënpresidentit Joe Biden. Ndërkohë zyrtarët e fushatave të të dy kandidatëve janë të shqetësuar për pjesëmarrjen në zgjedhje si pasojë e pandemisë.

Votuesi i Miçiganit, Mickey Cook, i jep republikanit Donald Trump një vlerësim të lartë për punën si president:

“Trump ka bërë atë që ka thënë se do të bëjë dhe kjo është ajo që ka rëndësi. Ju pëlqen apo jo, ai po punon shumë dhe unë nuk kam parë ndonjë figurë tjetër politike që të ketë arritur aq shumë. Ai nuk ndalet”.

Por edhe pse e mbështet fort presidentin, aq sa mori pjesë edhe në një tubim fushate me zotin Trump pranë qytetit Saginaw, zoti Cook nuk është i sigurt nëse do të votojë në zgjedhjet e nëntorit.

“Ndonjëherë nuk më duket se vota ka rëndësi. Sepse të neverit ajo që po ndodh dhe thua me vete: përse e gjithë kjo?” thotë Mickey Cook.

“Do të na vijë me postë një fletëvotimi dhe do ta hedhim ndoshta po në kutinë postare,” thotë Brent Slay, ish-pronar biznesi, tani pensionist që jeton në Grand Rapids. Zoti Slay mbështet demokratin Joe Biden, i cili në Miçigan po bën një fushatë thuajse tërësisht me internet. Ai thotë se zoti Biden ka më shumë mbështetje në Miçigan se sa kishte kandidatja Hillary Clinton në vitin 2016.

“Nuk kishte ndonjë entuziazëm të madh për Hillary Clintonin. Bernie Sanders e mundi atë qysh në fillim në Miçigan dhe kjo flet shumë. Nuk mendoj se Miçigani është një shtet haptazi liberal, prandaj them se ka shumë më tepër entuziazëm për zotin Biden,” thotë zoti Slay.

Dr. Mahmoud Al-Hadidi punon në kujdesin intensiv në një spital të Miçiganit, ku ka trajtuar shumë pacientë me COVID-19. Ai mbështeti kandidaten Clinton në vitin 2016 dhe guvernatoren e tanishme të këtij shteti, demokraten Gretchen Whitmer, në fushatën e saj të vitit 2018.

“Kam mbështetur shumë demokratë në ciklin e fundit zgjedhor,” thotë mjeku, i cili, i pyetur nëse ka shanse që këtë herë të votojë për zotin Trump, përgjigjet:

“Po, ka. Por ende nuk e kam vendosur.”

Dr. Al-Hadidi dëshiron të shohë se me çfarë mesazhesh do t’i drejtohet zoti Biden komunitetit myslimano-amerikan të Miçiganit përpara se të marrë një vendim, ndoshta të mos votojë për asnjërin prej kandidatëve.

“Komuniteti mysliman ka mbi 100 mijë votues dhe ata mund të përcaktojnë rezultatin në këtë ose atë mënyrë. Mendoj se zyrtarët e kuptojnë këtë,” thotë mjeku.

Katër vjet më parë, zoti Trump shkaktoi habi, kur u bë kandidati i parë republikan që fitonte Miçiganin që nga viti 1988.

“Kur gjërat ecin normalisht, ne presim që pjesëmarrja në zgjedhje të rritet. Por midis vitit 2012 dhe 2016 pjesëmarrja në Miçigan ra me 200,000 vota,” thotë profesori i Universitetit të Miçiganit Michael Traugott.

Ai shpjegon se rënia ndodhi kryesisht në qytetin e Detroitit dhe përqark tij, një zonë urbane me shumë votues afrikano-amerikanë. Pjesëmarrja më e ulët e lejoi zotin Trump të arrinte fitoren me vetëm 10,700 vota nga më shumë se 4.5 milion të hedhura në këtë shtet.

“Demokratët nuk do të lejojnë që republikanët t’ua marrin votat ashtu si bënë në vitin 2016,” thotë profesori.

Por, se sa votues do të votojnë ditën e zgjedhjeve, apo do të votojnë herët dhe me mjete të tjera, kjo nuk dihet me siguri, tani në kushtet e pandemisë, thotë Alvin Tillery i Universitetit Northwestern:

“Njerëzit kanë treguar gatishmëri për të dalë me çdo kusht për të votuar. Çështja është te dekurajimi. Ka njerëz që marrin paga të ulta, që kanë fëmijët në shkollë dhe që u duhet të qëndrojnë në radhë pesë deri në gjashtë orë për të votuar. Pritja i bën ata të mos votojnë fare.”

Mbështetësi i zotit Trump, Mickey Cook nuk mendon se në qendrën e tij të votimit do të ketë pritje të gjatë dhe kjo është një arsye që ai nuk e përjashton të shkojë personalisht për të votuar.

“Ka mundësi të shkoj,” thotë ai.

Zoti Cook thotë se çështja nuk është se për kë do të votojë, por keqardhja nëse nuk shkon të votojë dhe rivali fiton.

“Është më mirë të votosh sesa të ndiesh keqardhje duke mos bërë asgjë,” shprehet ai. VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA