Mes dy që zihen përfiton një i tretë dhe ky ligj i pashkruar në jetë, duket se u materializua dhe në një prej cështjeve më të nxehta në merkaton e futbollit italian. Marash Kumbulla, mbrojtësi i kombëtares shqiptare i joshur prej muajsh nga Lacio dhe Inter, tani zyrtarizoi kalimin e tij te Roma.
Një prej zbulimeve më të spikatura në serinë A sezonin e kaluar, 20 vjeçari shqiptar por që është lindur në Peskiera Del Garda, transferohet në ekipin verdhekuq në huazim me të drejtë blerjeje. Në çështjen e finalizuar të Romës me Veronën, u përfshinë veç parave, edhe 3 lojtarë të tjerë që shkopjnë në veri, Cetin, Cancellieri e Diaby.
Formula e përdorur nga Roma për të marrë Kumbullën është ajo më në modë, në këtë merkato të çuditshme verore. Huazimi do paguhet nga kryeqytetasit, që kanë dhe të drejtën e blerjes me 13.5 milionë të tjera, si dhe 4 milionë bonuse. Kumbulla ka firmosur ndërkohë një kontratë deri në 2025 por të vlefshme vetën nëse Roma aktivizon qëndrimin.
“Hyra në këtë klub kur isha vetëm 8 vjeç i shoqëruar nga babai im. Në këtë shtëpi jetova momente më të bukura por ka ardhur koha të realizoj një ëndërr. Hapin më të rëndësishëm në karrierë. Roma është një sfidë e parefuzueshme dhe nuk pata dyshime për ta zgjedhur”- tha Kumbulla.
Verona privohet kështu nga një tjetër futbollist shqiptar pas largimit të Amir Rrahmanit te Napoli, por merr nga Roma 3 lojtarë të vlefshëm në një moshë të re, njësoj si Kumbulla.
Top Channel