Kremlini i ka quajtur “absurde” raportimet se lideri opozitar rus, Aleksei Navalny, për të cilin Gjermania dhe qeveri tjera perëndimore thonë se është helmuar me agjent nervor, ka gëlltitur substancën nga një shishe e ujit në dhomën e tij të hotelit në Siberi.
Ekipi i Navalnyt ka thënë se shishja e ujit është larguar nga dhoma e tij e hotelit në qytetin Tomsk, pasi ai është sëmurë keq muajin e kaluar.
Sipas këtij ekipi, në shishe janë gjetur gjurmë të agjentit nervor Noviçok.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka hedhur poshtë pretendimet, duke vënë në pikëpyetje vërtetësinë e tyre.
“Neve na është thënë se ka gjurmë të Noviçokut në shishe, mirëpo ekspertët kanë thënë se nëse vërtet ka pasur gjurmë të Noviçokut në shishe, të paktën personat që e kanë prekur atë apo ata që kanë qëndruar afër do t’i ishin ekspozuar”, ka thënë Peskov.
“Kjo gjë është në kundërshtim me përfundimet e ekspertëve. Nëse ka pasur shishe, pse është larguar? Ndoshta dikush nuk ka interes që të nisin hetime. Ka shumë absurditet në këtë çështje që na mban larg besimit në këto deklarata, pa pasur prova”, ka shtuar ai.
Ai është dërguar pas disa ditësh në një spital në Gjermani, ku testet kanë treguar se ai është helmuar me agjent nervor të kategorisë ushtarake të grupit, Noviçok.
Gjermania i ka kërkuar Rusisë që të sqarojë këtë incident, mirëpo Rusia ka mohuar vazhdimisht përfshirjen dhe i ka bërë presion Gjermanisë që të ndajë me të provat që tregojnë se Navalny është helmuar. REL
Top Channel