“Ndonjëherë na shtyjnë të mendojmë se organizatat kriminale shqiptare janë të dorës së dytë. Por operacioni “Los Blancos” dëshmon megjithatë se kriminelët shqiptarë kanë aftësi të mëdha duke u lidhur drejtpërdrejt me kartelet e trafikantëve të drogës në Amerikën Latine, e duke siguruar me ta marrëdhënie të qëndrueshme. Hetimet bënë të mundur të konstatohej ekzistenca e një superstrukture kriminale shqiptare, një lloj ‘kupole’, nga e cila vinin direktivat strategjike”; nga Gjykata e Firenzes, prokurori kombëtar italian i antimafia, Federico Cafiero De Raho, theksoi rëndësinë e madhe të operacionit që shkatërroi bandën shqiptare të kokainës.
De Raho theksoi rëndësinë e madhe të aksionit që shënoi pikën kulmore të hetimeve të nisura nga policia italiane në 2015-tën pas një sherri mes shqiptarësh, që lidhej me shfrytëzimin e prostitucionit. Në atë rast u sekuestrua një telefon Blackberry, i cili u kthye në një minierë ari me kontakte dhe informacione për autoritetet.
Nga këtu, nisi “Los Blancos”. Hetimi 5-vjeçar i udhëhequr nga Italia solli 20 arrestime dhe paraburgime në të gjithë Evropën dhe kapjen e katër tonëve kokaine si dhe 5 milionë eurove. Një operacion i pashembullt ndërkombëtar që përfshin autoritetet gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit në 10 vende ka rezultuar në shkatërrimin e plotë të grupit kriminal-KOMPANIA BELLO, e përbërë nga shqipfolës, një nga rrjetet më aktive të trafikut të kokainës në Evropë.
Sipas Europol, këto arrestime pasojnë ndalimin e 84 anëtarëve të tjerë të këtij grupi në Itali, Ekuador, Holandë, Mbretëri e Bashkuar, Zvicër dhe Gjermani.
Top Channel