Hoti: Dialogu përfundon me njohje, asociacioni i komunave serbe nuk do të hapet në Bruksel

18/09/2020 00:35

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u tha deputetëve të Kuvendit të Kosovës se dialogu me Serbinë duhet të përfundojë me njohje reciproke. Ai tha se ky nuk është dialog teknik, por dialog për marrëveshje finale me njohje reciproke dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Me kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës, Hoti u thirr të enjten në interpelancë.

“Integriteti territorial është i panegociueshëm, dhe nuk është shtruar si çështje para meje, organizimi kushtetues i Kosovës nuk bën të preket, nuk ka Asociacion me kompetenca ekzekutive në Kosovë. Për këto dy parime të dialogut, ka mbështetje të plotë nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Parimi i tretë është se marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovë”- tha Hoti.

Kreu i qeverisë foli edhe për asociacionit e komunave serbe, ku theksoi se kjo temë nuk do të hapet në Bruksel.

“Lidhur me temën e asociacionit, qëndrimi jonë është se kjo temë nuk hapet në dialog. Kjo temë nuk hapet pasi ka një marrëveshje të arritur në vitin 2013 që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Përtej kësaj ekziston marrëveshja e parimeve për asociacionit dhe aktgjykimin e gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje. Për të gjitha temat në Bruksel vlen parimi se asgjë nuk dakordohemi nëse nuk dakordohemi për marrëveshjen finale përfundimtare”- shtoi Hoti.

Sipas Hotit, në këtë fazë të dialogut, është duke u bërë draftimi i elementeve të caktuara të marrëveshjes për njohje reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se marrëveshja duhet të përmbajë elemente që shfuqizojnë rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Top Channel