Dodik kundër njohjes së Kosovës, rrëzohet propozimi në presidencën boshnjake

18/09/2020 01:14

Anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Millorad Dodik, ka votuar kundër njohjes së Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme të presidencës, ndërsa dy anëtaret e tjerë boshnjak e kroat, votuan pro. Propozimin për shqyrtimin e njohjes e kishte bërë kroati Zhelko Komshic, i cili u mbështet plotësisht nga Shefik Xhaferovic, por u rrëzua nga Dodik.

Vendimi në presidencës trepalëshe të Bosnjes merret me konsensus të tre anëtarëve.”Dodik nuk e pranoi njohjen e Kosovës si shtet të pavarur. Ne votuam 2-1 për atë vendim. Dodik ishte kundër dhe kjo do të jetë një temë në javët e ardhshme. Pritet që Dodik të kërkojë një seancë të Asamblesë Kombëtare të Republikës Serbe dhe të paraqesë ato tema ku ndërlidhet Kosova dhe Republika Serbe. Kjo është një temë e rrezikshme që mund të përshkallëzohet me historinë e ndarjes, dhe supozoj se të gjithë e dini ku na çon të gjithëve një gjë e tillë”, deklaroi Komshic.

Komshic doli në këtë kërkesë pas pretendimeve të Dodik që të diskutohej zhvendosja e ambasadës së Bosnjës nga Tel Avivi në Jerusalem. Komshic sqaroi se Dodiku iu referua marrëveshjes në Uashington, e cila u nënshkrua nga presidenti serb, Aleksandar Vuçic dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

“Kosova është një realitet, Kosova është një shtet i pavarur dhe të gjithë e dimë atë. Kushdo që ka frikë nga një vendim si njohja e Kosovës nuk duhet të ulet në Presidencën e Bosnje dhe Hercegovinës”, deklaroi anëtari kroat i presidencës boshnjake.

 

Top Channel