Kryenegociatorët e Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe do të takohen sot në Bruksel në përpjekje për të shmangur një ndërprerje të bisedimeve për marrëdhënien e ardhshme tregtare, pavarësisht vullnetit britanik për rishikimin e kushteve të divorcit.

Britaniku, David Frost u prit në orën 16:00 (14:00 GMT) në Komisionin Europian nga francezi, Michel Barnier, në një kohë kur frika për një “no deal” mbi marrëdhënien postBrexit duke më e madhe se kurrë, raporton ATSh.

Zëdhënësi i ekzekutivit europian, Eric Mamer hodhi poshtë akuzat e kryeministrit britanik, Boris Johnson, sipas të cilave Brukseli nuk negocion me mirëbesim dhe kërcënon me një “bllokadë” ushqimore tregtinë mes Irlandës së Veriut dhe Britanisë së Madhe, në mungesë të marrëveshjes në fund të periudhës së tranzicionit në fund të vitit 2020.

“Michel Barnier ka treguar (…) se edhe për çështjet jashtëzakonisht komplekse dhe të ndjeshme politikisht, Komisioni dhe BE negociojnë me mirëbesim”, protestoi ai.

Negociatorët po mblidhen në një kohë kur Johnson refuzon të tërhiqet nga një projektligj i kundërshtuar,që, edhe sipas qeverisë britanike, shkel të drejtën ndërkombëtare.

Ky tekst injoron disa nga angazhimet e ndërmarra në marrëveshjen e tërheqjes që nënshkruan largimin britanik, veçanërisht në lidhje me protokollin që synon të shmangë kthimin e një kufiri midis Irlandës dhe Irlandës së Veriut.

“Qeveria britanike nuk e di dhe vetë nëse dëshiron apo jo një marrëveshje”, deklaroi një diplomat europian.

“Në dy apo tri javët e ardhshme, ne do të kemi një vizion më të mirë për atë që është e mundur”, theksoi ai.

Britania e Madhe, që u largua zyrtarisht nga BE më 31 janar, vazhdon të aplikojë rregullat europiane deri më 31 dhjetor, një periudhë tranzicioni, gjatë të cilës Londra dhe Berlini shpresojnë të arrijnë një marrëveshje tregtare

Top Channel