SHBA, nuk ka shenja sulmi kibernetik ndaj sistemeve zgjedhore

17/09/2020 18:13

Zyrtarët më të lartë amerikanë të agjencive të zbatimit të ligjit, zyrtarët ushtarakë dhe të shërbimeve të zbulimit po shprehin besim në aftësinë e tyre për të mbrojtur sigurinë e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, pavarësisht provave në rritje se disa vende mbeten të gatshme të ndërhyjnë në këto votime.

Zyrtarët janë përgatitur për sulme ndaj zgjedhjeve për gati katër vjet, që kur bashkësia e shërbimeve amerikane të zbulimit arriti në përfundimin se Rusia kërkoi të ndërhynte në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016. Por, tani që mbeten më pak se 50 ditë derikur votuesit t’u drejtohen qendrave të votimit më 3 nëntor, ata thonë se nuk ka shenja që Rusia ose dikush tjetër po përpiqet të sulmojë sistemet kritike zgjedhore.

“Ne nuk kemi parë sulme kibernetike këtë vit deri më sot në regjistrat e votuesve ose në ndonjë sistem të përfshirë në votimin primar”, tha Drejtori i FBI-së Christopher Wray të mërkurën në një takim virtual të organizuar nga Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe Agjencia e Sigurisë së Infrastrukturës (CISA).

Dhe pavarësisht përshkrimit të përpjekjeve të FBI-së për të mbrojtur sistemet kritike të SHBA si një “betejë pa mbarim”, zoti Wray tha se duket se masat paraprake të vendosura që nga zgjedhjet e vitit 2016 po japin rezultat.

“Me sa dimë, asnjë qeveri e huaj nuk është përpjekur të ndërhyjë në numërimin e votave në Shtetet e Bashkuara”, tha ai.

Duke folur në një konferencë të veçantë virtuale të mërkurën, komandanti i Komandës Kibernetike amerikane gjithashtu u përpoq të siguronte votuesit përpara Ditës së Zgjedhjeve.

“Unë jam shumë i bindur se do të kemi një sukses të jashtëzakonshëm, të vazhdueshëm, bazuar në punën e përbashkët nga të gjitha agjencitë (qeveritare) dhe partnerët tanë”, tha gjenerali Paul Nakasone, i cili është gjithashtu drejtor i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë.

Këto vlerësime janë në përputhje me vlerësimet e tjera të ofruara nga zyrtarë të lartë amerikanë javët e fundit në lidhje me kërcënimin ndaj zgjedhjeve presidenciale – se megjithëse kundërshtarët e SH.B.A.-së si Kina, Rusia dhe Irani po kërkojnë të ndërhyjnë në zgjedhje, ato përpjekje ende nuk kanë depërtuar sistemet në të cilat vendi do të mbështetet për të kryer votimin.

“Këto do të jenë zgjedhjet më të sigurta në historinë moderne”, tha Drejtori i Agjencisë së Sigurisë së Infrastrukturës (CISA) Christopher Krebs javën e kaluar, duke përsëritur një frazë që ai e ka përdorur shumë herë që nga korriku.

Si pjesë e përpjekjeve për të siguruar zgjedhjet, qeveria amerikane ka punuar me shtetet amerikane për të rritur numrin e sensorëve që vëzhgojnë për aktivitete të dëmshme kibernetike. Më shumë se 90% e zonave zgjedhore të vendit tani kanë sisteme të krijuara për t’u siguruar se ka një regjistrim në letër për çdo votë të hedhur, vetëm në rast se diçka shkon keq.

Zyrtarët e lartë gjithashtu kanë minimizuar shqetësimet e ngritura nga Presidenti Donald Trump se shtimi i qasjes tek votimi me postë për shkak të pandemisë së koronavirusit mund të çojë në “zgjedhjet më të manipuluara në historinë e vendit tonë”.

“Nuk kemi asnjë informacion ose të dhëna zbulimi se ndonjë aktor i ndonjë shteti që përbën rrezik është duke u përfshirë në ndonjë lloj aktiviteti për të dëmtuar ndonjë pjesë të votimit me postë ose fletëvotimet”, tha një zyrtar i lartë i shërbimeve amerikane të zbulimit muajin e kaluar, ndërsa informoi gazetarët në kushte anonimiteti.

Megjithatë, ndërsa zyrtarët amerikanë janë të sigurt në infrastrukturën e përforcuar amerikane të votimit, ata mbeten të shqetësuar për mënyrën se si kundërshtarët synojnë të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve me fushata ndikimi dhe propagandë.

Të mërkurën, gjenerali Nakasone përshkroi operacionet e ndikimit si një kërcënim që ka të ngjarë të përkeqësohet ndërsa teknologjia vazhdon të përparojë.

“Operacionet e ndikimit, në përgjithësi, për ne do të jenë një nga gjërat me të cilat do të merremi jo vetëm çdo dy ose katër vjet”, tha ai. “Unë mendoj se do ta shohim atë në proceset tona diplomatike. Ne do ta shohim atë në luftë. Do ta shohim në mbjelljen e mosbesimit civil në vende të ndryshme”.

Ka shenja që Kina, Rusia dhe Irani po shtojnë përpjekjet e tyre.

Javën e kaluar, kompania Microsoft njoftoi se kishte zbuluar prova se hakerat e lidhur me të tre vendet e dyshuara kanë synuar në mënyrë aktive fushatën e rizgjedhjes së Presidentit Trump, si dhe fushatën e sfiduesit të tij kryesor, ish-Nënpresidentit Joe Biden.

“Grupet e huaja kanë shtuar përpjekjet e tyre me objektiv zgjedhjet 2020 siç ishte parashikuar dhe është në përputhje me atë që qeveria amerikane dhe të tjerët kanë raportuar”, shkruante në blogun e tij javën e kaluar Tom Burt, nënpresident i korporatës i Microsoft për sigurinë e klientëve.

“Shumica e këtyre sulmeve u zbuluan dhe u ndaluan nga mjetet e sigurisë të futura në produktet tona”, shtoi ai.

Muajin e kaluar, William Evanina, drejtori i Qendrës Kombëtare të Kundërzbulimit dhe Sigurisë, paralajmëroi se Kina, Rusia dhe Irani po kërkonin të “dëmtonin besimin e popullit amerikan në procesin tonë demokratik”.

Në atë paralajmërim të rrallë publik, zoti Evanina tha se Rusia duket se synon të dëmtojë fushatën e zotit Biden, ndërsa disa aktorë të lidhur me Kremlinin “po kërkonin të forconin kandidaturën e Presidentit Trump në mediat sociale dhe televizionin rus”.

Zoti Evanina tha se si Kina, edhe Irani duket se favorizojnë kandidaturën e zotit Biden.

Por, megjithë shqetësimet, ka ende pikëpyetje në lidhje me çfarë lloji ndikimi do të kenë operacionet e influencimit kinez, rus dhe iranian te votuesit amerikanë kur ata të hedhin votat.

“Edhe nëse mund ta vërtetosh origjinën e një operacioni, edhe nëse vërtet mund të mblidhësh të dhëna mbi shtrirjen e operacionit, është shumë e vështirë të përllogarisësh se cili është ndikimi”, tha Daniel Kimmage, zëvendëskordinatori kryesor kryesor i Qendrës së Angazhimit Global të Departamentit amerikan të Shtetit. “Mendoj se mbetet një nga sfidat e jashtëzakonshme në këtë fushë”.VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA