Bilanci i tregtisë së jashtme të Bashkimit Evropian regjistroi suficit prej 99.7 miliardë euro (118.4 miliardë dollarë) në periudhën janar-korrik, njoftoi sot autoriteti statistikor i Unionit.
Shifra shtatë-mujore ishte më ulët nga 101.8 miliardë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, treguan të dhënat e Eurostat.
Eksportet e mallrave të bllokut 27 anëtarësh ranë për 12.2 për qind nga viti në vit për shkak të pandemisë së koronavirusit (Covid-19), duke arritur në 1.1 trilionë euro në shtatë muajt e parë të këtij viti.
Importet e saj nga pjesa tjetër e botës arritën në 990 miliardë euro, me një rënie prej 13 për qind gjatë të njëjtës periudhë.
Tregtia brenda “BE-27” gjithashtu shënoi rënie me 11.9 për qind në bazë vjetore në gati 1.6 trilionë euro në periudhën janar-korrik.
Gjashtë partnerët më të mëdhenj
SHBA-të ishin tregu më i madh për eksportuesit e BE-së me 203 miliardë euro, e cila paraqet një tkurrje prej 9.9 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Tregjet tjera kryesore të eksportit të BE-së janë Britania e Madhe, Kina, Zvicra, Rusia dhe Turqia.
Nga ana tjetër, Kina ishte burimi kryesor i importeve, me 216.7 miliardë euro, një rritje vjetore prej 4.9 për qind në periudhën janar-korrik.
Ajo u pasua nga SHBA-të, Britania e Madhe, Zvicra, Rusia dhe Turqia.
Në periudhën janar-korrik, bilanci tregtar i bllokut pa deficitin më të lartë me Kinën, 104.8 miliardë euro dhe suficitin më të madh me SHBA-të, me 82.7 miliardë euro (98 miliardë dollarë).
Turqia ishte partneri i gjashtë më i madh tregtar i BE-së në shtatë muajt e parë të këtij viti, me një vëllim tregtar prej 72.5 miliardë euro.
Eksportet e BE-së në Turqi arritën në 37.8 miliardë euro ndërsa importet nga vendi arritën 34.7 miliardë euro gjatë të njëjtës periudhë. AA
Top Channel