Njëra nga pikat e diskutuara nga marrëveshja Serbi-Kosovë në Uashington ishte pjesëmarrja e Kosovës në Mini-Shengenin Ballkanik. Çfarë domethënie ka kjo nismë për bashkëpunimin rajonal? Një përpjekje për ta kuptuar.

Kur Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, në tetor 2019, paraqitën nismën e tyre, të quajtur “Mini-Shengen”, BE-ja sapo e kishte shtyrë hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Me këtë ide, tre shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë për qëllim krijimin e një lloj “BE-je të vogël” në Evropën Juglindore: një zonë ku njerëzit, shërbimet, mallrat dhe kapitali mund të lëvizin lirshëm.

Zbatimi i nismës, i njohur edhe si “Shengeni Ballkanik”, është planifikuar të fillojë në vitin 2021. Dy vende të Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina, janë të pavendosura për t’iu bashkuar nismës. Sipas Marrëveshjes së Uashingtonit (4.9.2020) tani aty do të hyjë edhe Kosova..

Presidenti i Malit të Zi Gjukanoviç. me presidentin e Serbisë, Alexandar Vucic, dhe kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Zoran Zaev. në takimin e tretë të Mini-Shengenit në Tiranë, më 21 dhjetor 2019. Mali i Zi ende nuk i është bashkuar nismës rajonale.

Me kërkesë të SHBA-ve

Shteti më i ri i Evropës e kishte refuzuar deri në atë moment rreptësisht pjesëmarrjen në nismë me argumentin se ajo i jep shumë epërsi Serbisë, si prodhues më i madh i mallrave në rajon. Pas kthimit të tij nga Uashingtoni, Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti u tha gazetarëve se pjesëmarrja e Kosovës ishte bërë me kërkesë të SHBA-ve. “Ne do të kujdesemi që në asnjë moment të mos cenohen interesat shtetërore të Republikës së Kosovës”, premtoi Hoti. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e mirëpriti marrëveshjen e Uashingtonit: “Më mirë vonë se kurrë, edhe falë Amerikës mike, ” shkroi Rama në Twitter.

Por se çfarë synojnë saktësisht SHBA-të me mbështetjen e nismës “Mini-Shengen”, kjo është e paqartë. Nisma për bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor ka. Fakti që ky bashkëpunim, i cili është i rëndësishëm për afrimin me BE-në, po mbështetet nga SHBA-të është për t’u mirëpritur, i tha Peter Beyer, deputet kristiandemokrat në Parlamentin Gjerman dhe i ngarkuar i Qeverisë Gjermane për Marrëdhëniet Transatlantike,

Deutschland Berlin | Peter Beyer, Berichterstatter Auswärtiger Ausschuss zu Serbien und Kosovo (DW/A. Shuka)
Peter Beyer, deputet kristiandemokrat në Parlamentin Gjerman dhe i ngarkuar i Qeverisë Gjermane për Marrëdhëniet Transatlantike

Beyer, i cili është gjithashtu raportues për dialogun Kosovë-Serbi në Bundestag dhe Këshillin e Evropës, kujton se “kjo fillimisht u iniciua vite më parë nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe është ndjekur dhe intensifikuar me sukses të konsiderueshëm në vijim”.

Zona Ekonomike Rajonale

Në fakt, që nga viti 2014 qeveria gjermane, përmes “Procesit të Berlinit”, është përpjekur t’i ofrojë Ballkanit Perëndimor mbështetjen e nevojshme në rrugëtimin e gjatë drejt BE-së . Në vitin 2017, gjashtë vendet e rajonit – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Serbia – miratuan një plan veprimi shumëvjeçar për krijimin e një zone të përbashkët ekonomike. Si bazë për këtë shërbeu Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), së cilës i përkasin të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), e cila po mbikëqyr zbatimin e marrëveshjes, tha në një intervistë me DW se megjithë vështirësitë e shumta politike, ka edhe përparime. Si shembull ajo përmend tarifat roaming të cilat do të hiqen gradualisht deri në 2021.

Në samitin e ardhshëm, i cili pritet të zhvillohet këtë vjeshtë në Sofje, do të miratohet një plan veprimi i dytë për Zonën Ekonomike Rajonale. “Ky parashikon intensifikimin e bashkëpunimit në fushat e digjitalizimit, investimeve, lëvizshmërisë dhe turizmit,” tha Bregu.

Rëndësi gjeopolitike?

Atëherë, cila është përparësia që ofron “Shengeni Ballkanik” ndaj me Zonës Ekonomike Rajonale dhe CEFTA-s? Kjo është vështirë të thuhet, thotë Ardian Haçkaj, drejtori i Institutit Hulumtues për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI) në Tiranë, sepse deri tani askush nuk ka parë një dokument zyrtar. Publikut i është ofruar vetëm një deklarate e përbashkët nga Presidenti Serb Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Zoran Zaev dhe Edi Rama, pas një takimi në Ohër, në vitin 2019. Aty të tre politikanët theksuan se “Mini-Shengeni” është në përputhje me “Procesin e Berlinit”.

Ndërsa BE-ja dhe Gjermania janë thuajse indiferente ndaj termit “Shengen Ballkanik”, SHBA-të kanë sinjalizuar që në fillim mbështetjen e tyre. Të enjten (17. 09. 2020) Bosnja dhe Hercegovina, do të diskutojë mundësinë e bashkimit në projektin e “BE-së së vogël”, pas sugjerimit të anëtarit serb të presidencës trietnike të shtetit boshnjak, Milorad Dodik.

Dodik e bëri propozimin pasi u takua me të dërguarin e Ballkanit të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, Matthew A. Palmer. Një ditë më parë Palmer kishte qenë në Berlin, ku kishte marrë pjesë në një konferencë të Fondacionit Konrad Adenauer me ambasadorët e Ballkanit Perëndimor. Sipas informacioneve të DW-së, nisma e “Mini-Shengen”-it aty nuk luajti asnjë rol.

Ardian Haçkaj nuk përjashton mundësinë, që “Mini-Schengeni të bëhet një instrument gjeopolitik i SHBA-ve për të mbajtur ndikim në procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë”.

BE me rol moderues

Valeska Esch nga Instituti Aspen në Gjermani e kritikon këtë qëndrim. “Nëse qeveria e SHBA me të vërtetë dëshiron të mbështesë në mënyrë thelbësore normalizimin midis dy vendeve dhe qasjen e tyre në BE, do të ishte më mirë që të mbështeste zbatimin e iniciativave ekzistuese, sesa të prezantojë si të reja nisma të ngjashme”, tha ajo në një intervistë me DW.

Sidoqoftë, bashkëpunimi midis BE-së dhe SHBA-ve, aq i dëshiruar nga të gjitha palët, funksionon me vështirësi, që kur ka marrë detyrën Presidenti Donald Trump. Takimi kosovaro-serb më 4 shtator ishte i përgatitur dobët dhe jo i mirëkoordinuar me BE-në, thonë kritikët në Berlin.

Manuel Sarrazin, deputet i Bundestagut Gjerman (Të Gjelbrit / Aleanca 90) dhe President i Shoqatës së Evropës Juglindore, e quan madje një “shfaqje maçiste- neo-koloniale që i shërbeu vetëm fushatës zgjedhore të Donald Trump”. Për Deutsche Wellen ai tha se “BE-ja tani duhet të marrë përsipër një herë e mirë rolin si moderatore.”.

Manuel Sarrazin, deputet i Bundestagut Gjerman (Të Gjelbrit / Aleanca 90) dhe President i Shoqatës së Evropës Juglindore

Ardian Haçkaj nga Instituti i Kërkimeve për Bashkëpunim dhe Zhvillim në Tiranë dyshon se BE-ja mund ta luajë këtë rol vetëm. “Vonesat për miratimin e hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe refuzimi i vazhdueshëm për t’u dhënë qytetarëve kosovarë liberalizimin e vizave të premtuar prej kohësh i kanë kushtuar BE-së shumë besueshmëri në rajon,” i tha ai Deutsche Welle-s. “Bashkëpunimi me SHBA/të është i nevojshëm për një zgjidhje te qëndrueshme në Ballkan.”/DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA