Së bashku me Rudina Hajdarin dhe intelektualë të tjerë, Nisma Thurje jep emrin e partisë së re

14/09/2020 12:48

Nisma Thurje ka publikuar së fundmi një video të pedagogut të njohur Rezart Prifti i cili shpall bashkimin me grupimin e ri politik duke thënë se emri i Lëvizjes Politike do të ishte “Nisma”.

Kujtojmë se më herët edhe Rudina Hajdari ka deklaruar bashkimin nën një lëvizje të re politike me personazhe të pa përfshirë më parë në politikë dhe të njëjtën deklaratë e kanë bërë edhe drejtuesit e Nismës Thurje.

“Rezart Prifti nuk është vetëm një pedagog i ri i talentuar por edhe një aktivist me profil të lartë, i angazhuar për një kohë të gjatë në kauza publike. Gjatë protestës studentore, Rezarti i dha zemër mijëra studentëve për të vazhduar revoltën deri në arritjen e kërkesave. Sot Rezi, duke u bashkuar me të tjerë të ngjashëm, ka një thirrje për të gjithë shoqërinë. Dëgjoje dhe nëse e gjen veten shpërndaje!” shkruan Nisma Thurje.

Mbetet për tu parë se çfarë forme do të ketë partia e re dhe cili do të jetë programi i “Nismës”.

Top Channel