Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka uruar sot nxënësit, mësuesit dhe prindët, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.
“Sot, rreth 480 mijë nxënës fillojnë vitin e ri shkollor. Dita e sotme çel siparin e hapjes së kantiereve të dijes, shprehive dhe edukimit. Ky vit shkollor nuk është si të tjerët. Përveç kujdesit për dijen, mësuesit dhe prindët duhet të bëjnë kujdes për mbrojtjen e jetës së fëmijëve prej rrezikut të pandemisë së koronavirusit. Fillimi i vitit të ri shkollor është një sfidë, për suksesin mbi të cilën duhet të kontribuojmë dhe do të kontribuojmë të gjithë. Vendosmëria për të vazhduar betejat që kemi përpara dallon guximtarët dhe dashurinë për jetën e dijen, nga frikacakët dhe dorëzimi para vështirësive.
Të dashur nxënës,
Ju uroj sukses në fillimin e një viti të vështirë, i cili do të mbetet gjatë në kujtesën tuaj. Kufizimet që imponon pandemia, rëndojnë në rradhë të parë mbi ju dhe përpjekjet tuaja për dije, shprehi dhe vlera. Jemi të vetëdishëm që shkolla nuk do tua ofrojë të gjitha mundësitë për dije dhe argëtim, si në një vit normal. Por shfrytëzoni më shumë librat. Kjo situatë do të kalojë dhe ju do të riktheheni në lojrat, gëzimet dhe mundësitë e tjera të shkollës.
Të dashur mësues,
Mbi ju bie detyra e vështirë që, më shumë se asnjëherë më parë, të kujdeseni jo vetëm për dijet, por edhe për shëndetin dhe jetën e nxënësve tuaj. Ky mision i juaj i përhershëm, sot merr një kuptim dhe rëndësi jetike për nxënësit tuaj. Të gjithë u jemi mirënjohës për përkushtimin tuaj dhe këtë populli dhe familjet shqiptare nuk do tua harrojnë.
Të dashur prindër,
E njohim merakun tuaj prindëror për shëndetin e fëmijëve. Por kini besim se shkolla, mësuesit, institucionet arsimore dhe gjithë shoqëria, siç janë të përkushtuar për pajisjen me dije, shprehi dhe vlerat qytetare, janë të përkushtuar për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së fëmijëve tuaj.
Të gjithëve ju uroj një vit të ri shkollor të suksesshëm!”, shkruhet në përshëndetjen e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi,me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.
Top Channel