Nis viti i ri shkollor/ Meta u bën thirrje fëmijëve që e kanë braktisur arsimin: Rikthehuni sa më parë

14/09/2020 10:36

Presidenti i vendit, Ilir Meta ka uruar të gjithë nxënësit në ditën e parë të shkollës.

Ai u bën thirrje prindërve dhe fëmijëve, të cilët kanë braktisur shkollën me apo pa arsye , që t’i rikthehen asaj sa më parë. Ai thekson se të rinjve duhet t’u ofrohet sa më shumë shpresë e alternativa edukimi dhe pune dhe se është koha për të kontribuar  që Shqipëria të mos jetë më vendi i shpresave të thyera. Meta ka këshilluar nxënësit që të zbatojnë  rregullat e vendosura për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Postimi i plotë i Metës:

Të dashur nxënës dhe prindër,

Të nderuar mësues dhe drejtues të institucioneve arsimore, Sot shoqëria shqiptare nis një rrugëtim tjetër të ri drejt dijes dhe ndërtimit të një të ardhmeje të ndritur, që mund të jetë e tillë vetëm nëse garantohet edukimi cilësor i brezit të ri. Investimi më i madh për shoqërinë është arsimimi i duhur i rinisë. Në këtë mënyrë garantohet zhvillimi i qëndrueshëm dhe afatgjatë progresiv, por edhe integrimi i sigurt në familjen europiane. Është dita për të theksuar me forcë që çdo fëmijë që për shkak të varfërisë e ka të pamundur të shkojë shkollë, duhet integruar në sistemin arsimor, përmes politikave konkrete, të drejta e sociale që i shpallin luftë mjerimit dhe papunësisë.  Por nuk mund të mos përsëris thirrjen drejtuar prindërve dhe fëmijëve, të cilët me apo pa arsye kanë braktisur shkollën, t’i rikthehen asaj sa më parë. Jam shumë i shqetësuar që pjesa dërrmuese e të rinjve tanë, veçanërisht studentët, ende dëshirojnë të largohen nga vendi. Ne duhet ta dekurajojmë si shoqëri largimin e trurit dhe të forcave të reja më krijuese të shoqërisë, duke u ofruar të rinjve tanë më shumë shpresë e alternativa edukimi dhe pune. Fenomeni thellësisht shqetësues i shpopullimit, është një emergjencë kombëtare, që ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në sektorin e arsimit, me ulje të numrit të nxënësve në shkolla dhe plakje të popullsisë. Është koha jo vetëm të mendojmë seriozisht, por edhe të reagojmë fuqimisht për të mbrojtur të ardhmen tonë nga ky erozion i tmerrshëm social, vlerash dhe besimi. Jam i bindur se rinia do të na udhëheqë në këtë proces, ashtu si 30 vite më parë! Këtyre sfidave të arsimit shqiptar, këtë Viti të Ri Shkollor, u shtohen edhe vështirësitë e mëdha të krijuara në përballjen me pandeminë COVID-19. Në kushtet e reja është tepër e domosdoshme të respektohen me rigorozitet protokollet shëndetësore në të gjitha institucionet arsimore, me objektiv kryesor mbrojtjen e shëndetit dhe jetës të çdo nxënësi dhe mësuesi. Shpresoj që qeveria dhe Ministria e Arsimit, përtej propagandës, të kenë marrë të gjitha masat për të garantuar një proces normal mësimor, pa pasoja në përkeqësimin e mëtejshëm të situatës vërtet shqetësuese. Një urim tepër të veçantë për shumë suksese dhe një vit të mbarë shkollor kam për të gjithë vogëlushët që do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës! Mirënjohjen për të gjithë mësuesit, që me përkushtim e sakrifica arsimojnë brezat e rinj! Koha për të kontribuar të gjithë që Shqipëria të mos jetë më vendi i shpresave të thyera!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA