Menjëherë pas deklaratës së Damian Gjiknurit, përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi, tha në fund të mbledhjes së Këshillit Politik se opozita e bashkuar ka kërkuar dy gjëra.

“Opozita ka kërkuar ruajtjen e koalicioneve zgjedhore, siç ishin deri më tani, dhe hapjen 100% të listave, në mënyrë që zgjedhësit të zgjedhin të lirë partinë që duan’, tha ai.

“Në mbledhjen e sotme opozita e bashkuar bëri të qartë qëndrimin e saj në lidhje me ruajtjen e koalicioneve zgjedhore, siç janë sot në Kodin Zgjedhor. Një çështje që ka funksionuar prej 17 vitesh dhe nuk ka pasur problem. Gjithashtu, u kërkua hapja 100% e listave. Ne kërkojmë që zgjedhësit të votojnë të lirë.

Mazhoranca kërkon t’u heqë zgjedhësve mundësinë për lista 100% të hapura, si dhe të zgjedhin lirisht partinë që duan. Këto janë qëndrime diametralisht të kundërta. Ne për çështje që nuk kemi dakordësi kemi të drejtën t’i drejtohemi OSBE/ ODIHR”, tha Bylykbashi.

DEKLARATA E PËRFAQËSUESIT TË OPOZITËS SË BASHKUAR OERD BYLYKBASHI PAS MBLEDHJES SË KËSHILLIT POLITIK

Opozita bëri të qartë qëndrimin e saj në lidhje me ruajtjen e koalicioneve zgjedhore, siç janë sot në Kodin Zgjedhor, një çështje që ka funksionuar prej 17 vjetësh pa asnjë problem dhe nuk ka asnjë rekomandim kundër koalicioneve, si dhe për hapjen 100 përqind të listave të kandidatëve në zgjedhjet e ardhshme.

Ajo që kërkon opozita është që zgjedhësit të kenë të drejtë që të zgjedhin, pra të përcaktojnë ata deputetët në parlament dhe, po zgjedhësit, të kenë të drejtë të votojnë partinë që duan ata. Koalicionet me listë të përbërë e lejojnë këtë mundësi. Ajo që kërkon maxhoranca është që t’u heqë zgjedhësve mundësinë e listave 100 përqind të hapura për kandidatët dhe t’i ketë pjesërisht të mbyllura. T’u heqë mundësinë zgjedhësve të zgjedhin lirisht partinë politike që ata duan.

Këto janë qëndrime diametralisht të kundërta me parimet që ka Kushtetuta për procesin zgjedhor mbi bazën e marrëveshjes së 14 Janarit, e cila është themeli i punës së Këshillit Politik.

Ne, për çështje që nuk kemi dakordësi, sipas kësaj marrëveshje kemi të drejtën t’i drejtohemi OSBE/ODIHR për të dhënë opinion për çështjet, kur nuk gjendet konsensus. Bëmë këtë propozim që u refuzua nga përfaqësuesi i maxhorancës.
Ai shprehu qartë qëndrimin se nuk është dakord të marrë opinionin e OSBE/ODIHR.

Ne i japim kohën që të reflektojnë dhe jemi gati që nesër të nënshkruhet kjo kërkesë e përbashkët dhe po nesër të vazhdojë puna për hapjen 100 përqind të listave dhe për gjithë çështjet e tjera

Pyetje: Nëse maxhoranca vazhdon e vetme, cili do të jetë qendrim juaj?

Oerd Bylykbashi: Afatet që vendos maxhoranca për veten e vet, por jo në interesin e zgjedhësve, janë problemi i saj. Ky Këshill Politik nuk është këtu për të bërë fasadën e maxhorancës. Kemi një kushtetutë, e cila është ndryshuar brenda vetëm një jave dhe, po kështu, duan që sistemi zgjedhor të mbyllet pa asnjë diskutim, brenda dy javëve, ndërkohë që propozuesit e ndryshimeve, sot erdhën dhe thanë, për turpin e tyre, që nuk kanë një draft. Kjo ose është një gënjeshtër, ose është mungesë serioziteti absolut.

PD, Opozita e Bashkuar, e ka shumë të thjeshtë çështjen: koalicionet janë sot në Kodin Zgjedhor dhe nuk ka nevojë ç’të draftohet. Funksionojnë perfekt, me çdo lloj sistemi zgjedhor, janë pjesë e sistemit politik prej 17 vitesh dhe janë sot në Kushtetutë. Në nenin 96 të Kushtetutës, koalicionet paraqeveritare, pra, zgjedhore, ekzistojnë sot dhe nuk kemi ç’t’i shkruajmë. Në Kod Zgjedhor janë të mirëshkruara formula për shpërndarjen e mandateve, të cilën Komisioni i Venecias e bën fare të qartë qe nuk duhet ndryshuar më vonë se 1 vit para datës së zgjedhjeve, është dakortësuar në paketën e 5 Qershorit. Pra, për ne, kjo pjesë është e mbyllur.

Meqë nuk kemi dakordësi dhe meqë janë ata që duan të sjellin një sistem ndryshe nga ai që ekziston sot, ai sistem që u garanton sot shqiptarëve listë të hapur të partive politike, pra, të zgjedhin në mënyrë të veçantë cilën parti ata duan, për propozimin që bëjnë dhe mosdakordësinë që kemi, bashkë me ne, t’i drejtojmë një kërkesë OSBE/ODIHR-it.

Në lidhje me pyetjen përsa i përket listës së hapur 100%, për ne kjo është shumë e qartë, shumë e thjeshtë. Ata bëjnë propozimin dhe në momentin që sjellin listën e hapur 100%, nuk ka fare nevojë të zgjatemi, mund të mbyllet edhe brenda dy ditësh kjo si çështje, pa humbur kohë fare.

Kështu që, duke firmosur nesër bashkarisht këtë shkresë, gjithashtu, po nesër, fillon puna, pa humbur kohë për hapjen e listave 100%, që sistemi zgjedhor të jetë në interesin e zgjedhësve shqiptarë, jo në interesin e e një kryeministri që ka hallin si të humbasë sa më pak.

Pyetje: Po pragun elektoral dhe dy çështjet e tjera do të sillni ndonjë propozim?

Oerd Bykykbashi: Kjo është një çështje e diskutueshme brenda kornizës. Nuk ka asnjë pozicion të rëndësishëm, përsa na përket ne. As në të shkuarën, nuk ka qenë çështje e pazgjidhshme. Ajo që ne duhet, pa humbur kohë, është të biem dakord për çështjet themelore: të ruajmë koalicionet kështu siç janë, që zgjedhësit të kenë mundësi të zgjedhin partitë dhe hapim listat 100%, që zgjedhësit të kenë mundësi të zgjedhin kandidatin. Pas kësaj, çdo gjë tjetër është e thjeshtë dhe është vetëm teknike.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta