Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj me anë të një reagimi në rrjetet sociale ka reaguar lidhur me disa lajme të shpërndara ku thuhej se makina e tij e re tip BMË kishte kushtuar 150 mijë euro. Sipas Lleshajt makina ka kushtuar vetëm 49 mijë Euro.
“Ky çmim, i cili është sa gjysma ose sa një e treta e atij që është hedhur në eter në mënyrë të paturpshme nga larot dhe tutorët e tyre, e bën të qartë përpjekjen kriminale për intimidim dhe për dezinformim publik;” shkruan Lleshaj.
Kujtojmë se Lleshaj ka deklaruar më parë se nuk do të jetë më ministër dhe në rugën e largimit ka thënë se makina nuk është blerë për atë por për shtetin.
Postimi i plotë i Lleshajt:
Po bëhen disa javë që disa portale ordinere dhe tutorët e tyre jo dhe aq periferikë, po përpiqen të mbajnë gjallë tymin e një mashtrimi skandaloz.
Sipas tyre, Ministri i Brendshëm paska blerë një makinë, që herë kushton 100 milionë lekë e herë arrin në 150 mijë Euro.
Aq shumë janë sforcuar për t’a përsëritur këtë mashtrim, sa ai ka mbërritur edhe tek disa qytetarë të nderuar, të cilët më kanë pyetur rreth të vërtetës.
Vetëm në respekt të tyre dhe jo në përgjigje të shpellave virtuale, po bëj këto sqarime elementare:
E vërteta është kaq e thjeshtë.
Nuk ka makinë për Sandër Lleshajn, por për shtetin; nuk ka makinë 100 milionëshe, por një makinë krejt normale, me çmim mëse të zakonshëm.
Sigurisht që kjo tentativë për intimidim apo shantazh nuk do të mbetet pa përgjigje.
Larot virtualë dhe tutorët e tyre, që mundohen të qëndrojnë në errësirë, nuk janë të panjohur. Përgjigja për ta do të jetë në rrugë ligjore dhe gjyqësore.
Me këtë rast, dua të garantoj qytetarët dhe miqtë e mi se unë nuk e njoh as lëkundjen, as shmangien dhe as tërheqjen nga misioni im, që është shërbimi ndaj Shqipërisë.
Aq mirë e njoh veten time, sa tentativat mjerane për baltosje vetëm sa më motivojnë për të bërë më shumë kundër krimit, i cili ndonëse përpiqet të sofistikohet duke u bërë edhe virtual, nuk mund t’i shmanget goditjes që bëhet përditë më e fortë.
E njoh veten time, por edhe ata aq mirë, sa sulmet e tyre më bëjnë edhe të qesh.
Top Channel