Aksidenti tragjik në Elbasan/ Ndërrojnë jetë 2 nga 4 vajzat që ishin në “Polo-n” e përplasur (emrat)

13/09/2020 19:35

Një aksident tragjik ndodhi mbrëmjen e së dielës në autostradën Tiranë-Elbasan, në dalje të tunelit të Krrabës, ku për pasojë humbën jetën dy vajza.

Sipas të dhënave, një automjet tip benz, ka goditur fort  nga mbrapa mjetin “Volkswagen”, ku udhëtonin katër shtetase nga Shkodra , duke i nxjerrë ato jashtë rruge.

Kanë qenë shërbimet e policisë dhe ato zjarrëfikëse të cilat i nxorën vajzat nga automjeti ku kishin mbetur të bllokuara, dhe i dërguan me urgjencë në spital.

Por dy nga vajzat të moshës 22 dhe 23 vjeçe, nuk arritën t’i mbijetonin dot plagëve të marra për shkak të përplasjes së fortë. Ato u identifikuan si  Lusinda Garunja dhe Xheneta Qallia.

Ndërsa 2 vajzat e tjera,  Denisa Dibra,25 vjeçe, drejtuesja e mjetit dhe Nervida Garunja,23 vjeç,  janë dërguar në spitalin e traumës për kurim më të specializuar.

Detajet e para flasin për shpejtësi të madhe të mjetit tip benz i cili menjëherë pas daljes nga tuneli nuk ka arritur të shquajë makinën tjetër që ndodhej përpara duke shkaktuar një tragjedi.

Ndërkaq mësohet se policia ka arrestuar drejtuesin e automjetit tip benz, Behar Pema,  i cili në testin e alkoolit ka rezultuar në gjendje të dehur në masën 0.99mg/l.

Top Channel