Bojkoti i sezonit 2020/21 të Kategorisë Superiore që ishte parashikuar të niste këtë fundjavë, do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të klubeve nga ana e qeverisë shqiptare.
Ky është vendimi i marrë nga Liga Profesioniste e Futbollit në mbledhjen e zhvilluar në ambientet e Air Albania Stadium. Megjithatë ka një dritë shprese për zgjidhjen e këtij ngërci të fortë që ka mbërthyer futbollin tonë në mënyrë që ky vit të mos rrezikojë të shkojë dëm.
Në mbkedhjen e Ligës është vendosur krijimi i një grupi negociator që do të diskutojë me përfaqësues të qeverisë për gjetjen e një zgjidhjeje të këtij problemi të madh një tryezë që pritet të mbahet në ditët në vazhdim. Në këtë takim mësohet se qeveria shqiptare do të përfaqësohet nga Fidel Ylli, ndërsa grupi negociator i Ligës së Futbollit do të përbëhet nga presidentët e tiranës, Partizanit dhe Apolonisë; Refik Halili, Gazmend Demi dhe Koco Kokedhima.
Ndërkaq më herët në lidhje me këtë cështje reagoi edhe Kastriotit nëpërmjet një deklarate për shtyp të Drejtorit sportiv të tij, Gazmend Vogli. Ky i fundit bëri apel qeverisë shqiptare që të mbështesë klubet e futbollit shqiptar duke kujtuar se në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, ligji i sponsorizimit është shumë favorizues për futbollin e këtyre vendeve.
Kujtojmë se 4 janë kërkesat e Ligës Profesioniste të futbollit; një ligj i ri për sponsorizimin, ulja e TVSH në masën 6%, falja e gjobave e kamatvonesave të detyrimeve tatimore e fiskale e sigurimeve të prapambetura si dhe shtrirja në 2-10 vjet i efektit të pezullimit për tatimet mbi të ardhurat për futbollistët.
Vetë kryeministri Rama, dy ditë më parë u shpreh se është gati për bisedime me Ligën e Futbollit për kërkesat e klubeve dhe shtoi se kjo situatë e lojtarëve që luajnë në një futboll që është në informalitet të plotë duhet të përfundojë sa më shpejt.
Top Channel