Akuzat e PD, reagon Bashkia Tiranë: Shkolla në Pezë Helmës pjesë e programit të BE

12/09/2020 18:27

Bashkia e Tiranës sqaron se shkolla 9-vjeçare në Pezë Helmës është pjesë e programit “EU4Schools”, me donacion nga Bashkimi Europian, dhe rikonstruksioni i plotë i saj po menaxhohet nëpërmjet UNDP.

Përmes një reagimi zyrtar, Bashkia e Tiranës shprehet se  Lulzim Basha dhe Partia Demokratike kanë zgjedhur rrugën e shpifjes dhe mashtrimit, si alternativën e vetme që mund t’ju ofrojë qytetarëve të Tiranës.

“Bashkia e Tiranës sqaron se shkolla 9-vjeçare në Pezë Helmës është pjesë e programit “EU4Schools”, me donacion nga Bashkimi Europian, dhe rikonstruksioni i plotë i saj po menaxhohet nëpërmjet UNDP.

Në vijim, Bashkia e Tiranës ka qenë vazhdimisht në kontakt me përfaqësinë e prindërve të shkollës dhe ditën e djeshme Administratori i Njësisë Administrative Pezë ka zhvilluar një takim me një përfaqësi të prindërve, të cilët kanë dakordësuar që të gjithë fëmijët ta kryejnë mësimin në mjediset e shkollës private “Vëllezërit Kajtazi” vetëm me një turn.

Ndërkaq, Bashkia e Tiranës ka marrë të gjitha masat që shkolla “Vëllezërit Kajtazi”, ku do të zhvillojnë mësimin nxënësit e shkollës së Pezë Helmësit, të pajiset me të gjithë bazën e nevojshme materiale për një mësim normal, duke filluar nga dita e hënë”, thuhet në reagim.

Bashkia e Tiranës thekson se Partia Demokratike nuk ka asnjë shans të vjelë vota me mashtrime e gënjeshtra, ndaj do bënte mirë të ndalojë menjëherë mashtrimet publike, të mos përdorë dhe të mos bëjë fushatë me fatkeqësinë e tërmetit të nëntorit 2019.

“Pak ditë më parë, Partia Demokratike dhe spikeret e saj u munduan të mashtronin opinionin, duke sjellë në vëmendje rastin e një qytetari të prekur nga tërmeti, i cili përkundrejt asaj që thoshte PD, ishte trajtuar me bonus qeraje dhe i kishte tërhequr të gjitha paratë që i takonin. Sot ishte hera e disatë që PD-ja dështoi të gjejë një rast që nuk është mbështetur nga Qeveria e nga Bashkia e Tiranës në fatkeqësinë e tërmetit. Partia Demokratike nuk ka asnjë shans të vjelë vota me mashtrime e gënjeshtra, ndaj do bënte mirë të ndalojë menjëherë mashtrimet publike, të mos përdorë dhe të mos bëjë fushatë me fatkeqësinë e tërmetit të nëntorit 2019”, theksohet më tej. Bashkia e Tiranës është duke punuar me intensitet për rikonstruksionin dhe rindërtimin e shkollave që u dëmtuan nga tërmeti. Shkolla e Lalmit, shkolla “1 Qershori”, shkolla “Jeronim de Rada”, e shumë të tjera, do të hapin dyert në kohë rekord për nxënësit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA