22-vjetori i vrasjes së Azem Hajdarit, e bija e kujton me fjalët prekëse: Do eci në rrugën tënde, ta premtoj!

12/09/2020 11:52

Deputetja shqiptare Rudina Hajdari ka kujtuar të atin e saj Azem Hajdarin në 22-vjetorin e vrasjes së tij.

Përmes një postimi ajo është shprehur me fjalë prekëse drejtuar të atit duke i premtuar se do të eci në hapat e tij. Hajdari thotë se mallin për të atin e ndjen çdo ditë dhe se ai është me të në çdo hap të saj.

“Babi, 22 vite pa ty pranë fizikisht janë shumë. Por ti je me mua përditë.  Je me mua kur zgjohem dhe shpesh e ndiej sikur me thua si dikur pasuria e gjithë botës është në duart e tua kur je njeri i lirë dhe i ndershëm.  Je me mua kur luftoj, e ndiej fuqinë tënde që më motivon dhe më shtyn të fitoj. Je me mua kur takoj mijëra shqiptarë të cilët ende sot mbas 22 vitesh të kujtojnë sikur të kishin takuar dje. Je me mua kur më jep forcën të ndjek rrugën tënde. Rrugën e drejtësisë, rrugën e lirisë, rrugën e njerëzve të lirë. Më ka marrë malli, por të ndiej përditë, sepse mundohem të eci në hapat e tua.  Në hapat e një njeriu që kurrë nuk e tregtoi lirinë. Do eci, ta premtoj!”, ka shkruar Hajdari në profilin e saj në Facebook.

Kujtojmë se Azem Hajdari, ishte udhëheqës i Lëvizjes Studentore të dhjetorit 1990, që çoi në përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri dhe më 12 shtator të vitit 1998 u vra para selisë së Partisë Demokratike nga drejtues të Komisariatit të Policisë të Tropojës.

 

Top Channel