Mbretëria e Bashkuar nënshkruan marrëveshjen e parë të madhe tregtare pas Brexit

11/09/2020 13:54

Mbretëria e Bashkuar arriti marrëveshjen e parë të madhe tregtare, pas daljes nga Bashkimi Evropian (Brexit), me Japoninë.

Autoritetet thanë se marrëveshja e nënshkruar në parim ka vlerën e rreth 15 miliardë funtave.

Sekretarja britanike e Tregtisë Ndërkombëtare, Liz Truss, tha se ky është një “moment historik”.

Truss tha se marrëveshja do të sjellë “fitore të reja” për bizneset britanike – në ushqim dhe pije, si dhe në industri të teknologjisë.

Sipas kritikëve, marrëveshja mund të ketë rëndësi simbolike, pasi ajo do të rrisë bruto prodhimin e brendshëm të Mbretërisë së Bashkuar me vetëm 0,07%.

Marrëveshja e së premtes ka ende nevojë për miratim nga Parlamenti i Japonisë.

Përfaqësuesit e tregtisë atje parashikojnë që marrëveshja ta marrë lejen deri në janar, raporton BBC.

Truss tha se Marrëveshja e Partneritetit Ekonomik Gjithëpërfshirës midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Japonisë nënkupton që 99% e eksporteve në Japoni do të jenë pa tarifa.

“Marrëveshja që kemi negociuar – në kohë rekord dhe në rrethana sfiduese – shkon shumë përtej marrëveshjes ekzistuese me Bashkimin Evropian, pasi siguron fitore të reja për bizneset britanike në industrinë tonë të madhe të prodhimit, ushqimit dhe pijeve, si dhe të teknologjisë”, tha Truss.

Mbertëria e Bashkuar ka dalë nga Bashkimi Evropian në janar të këtij viti.

Derisa është ende në periudhën e tranzicionit, ajo po përpiqet të gjejë partnerë tregtarë për të zëvendësuar tregun e BE-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA