“Kam bërë roje gjatë përdhunimit të grave”/ Varre masive, ushtarët e Mianmarit pranojnë masakrën ndaj myslimanëve të Arakanit

11/09/2020 12:07

Dy ushtarë me detyrë në ushtrinë e Mianmarit kanë pranuar se kanë vrarë, kanë varrosur në varre masive dhe kanë përdhunuar gratë muslimane të Arakanit.

Sipas artikullit të “New York Times”, dy ushtarë që u arratisën nga Mianmari muajin e kaluar janë dërguar në qytetin e Hagës në Holandë ku ndodhet Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) në të cilën zhvillohen hetimet lidhur me krimet kundër njerëzimit që ka kryer Mianmari.

Ushtarët në deklaratat e tyre këtu theksuan se kanë marrë detyrë vrasjen e myslimanëve të Arakanit dhe varrosjen e tyre në varre masive në zonat Buthidaung dhe Maungdaw të Arakanit.

Deklaratat e ushtarëve janë në cilësinë mbështetëse për pretendimet e përhapura se ushtria e Mianmarit po përpiqet të çrrënjosë muslimanët e Arakanit.

Ushtari 33-vjeçar, Myo Win Tun në deklaratën e tij tha se në gusht 2017 nga bazat e tyre morën urdhrin “qëlloni të gjithë ata që shihni dhe dëgjoni”.

Myo Win Tun tha se i është bindur këtij urdhri dhe se ka patur rol në masakrimin e 30 mulimanëve të Arakanit dhe në varrosjen e tyre në varret masive në afërsi të një stacioni bazë të antenave dhe një baze ushtarake.

Pasi pranoi se kanë varrosur 8 gra, 7 fëmijë dhe 15 meshkuj, Myo Win Tun tha: “I qëlluam të gjithë pa dallim. Meshkujt muslimanë i qëlluam në ballë dhe trupat e tyre i futëm me këmbë në gropa”.

Po ashtu Myo Win Tun ka pranuar se kanë përdhunuar edhe një grua.

Duke pranuar se kanë kryer diskriminim racor kundër myslimanëve të Arakanit, Myo Win Tun bëri të ditur se eprori i tyre koloneli Than Htike i ka dhënë urdhrin “eliminoni myslimanët e Arakanit”.

“Kam marrë detyrë në vrasjen dhe varrosjen e 30 fëmijëve, grave dhe meshkujve myslimanë në një varr” tha Myo Win Tun.

“Urdhri, vritni të gjithë ata që shihni, fëmijë ose të rritur”

Ndërkohë edhe Er Zaw Naing Tun tha se ka qenë i pranishëm në një batalion në afërsi të një fshati gjatë masakrimit të 30 myslimanëve të Arakanit.

Er Zaw Naing Tun i cili është një ish-murg budist në moshën 30-vjeçare u shpreh se nga eprorët e tyre kanë marrë urdhrin “Vritni të gjithë ata që shihni, fëmijë ose të rritur”.

“Kemi fshirë nga harta rreth 20 fshatra (ku jetojnë Rohingyat)”, tha Zaw Naing Tun i cili shtoi se edhe ai vetë ka varrosur trupa në varret masive.

Zaw Naing Tun pranoi se me ushtarët në batalionin ku ai ishte me detyrë kanë vrarë 80 myslimanë të Arakanit.

“Kemi sulmuar 20 fshatra në Maungdaw përfshirë Doe Tan, Ngan Chaung, Kyet Yoe Pyin, Zin Paing Nyar dhe U Shey Kya”, tha Zaw Naing Tu i cili vuri në dukje se me 4 ushtarë në batalionin Zin Paing Nyar ka vrarë 7 myslimanë të Arakanit.

“Kam bërë roje gjatë përdhunimit të grave”

Zaw Naing Tun njoftoi se pasi kanë kapur 10 persona të paarmatosur i kanë vrarë dhe më pas i kanë varrosur në një varr masiv në veri të fshatit.

Duke pretenduar se për shkak të gradave të ulëta nuk ka kryer krim të dhunës seksuale, Zaw Naing Tun theksoi se ka bërë roje gjatë përdhunimit të grave nga ushtarët e tjerë.

Ata që i dhanë urdhrin në atë kohë ushtarëve “qëlloni të gjithë këdo që shihni dhe dëgjoni” janë koloneli Than Htike, kapiteni Tun Tun dhe rreshteri Aung San Oo.

Në këtë mënyrë për herë të parë pjesëtarët e ushtrisë së Mianmarit (Tatmadaw) kanë pranuar në mënyrë të hapur se janë përfshirë në masakrat e kryera kundër myslimanëve të Arakanit të cilën zyrtarët e Kombeve të Bashkuara e kanë cilësuar si fushatë gjenocidi.

Ndërkohë edhe shumë persona nga Arakani në mënyrë të pavarur nga njëri- tjetri kanë konfirmuar vendin e varreve masive dhe se këto vende janë në përputhje me vendet që kanë treguar ushtarët në deklaratat e tyre. Varret masive që qeveria e Mianmarit i ka mohuar për shumë herë, mund të vlerësohen edhe si provë në hetimet dhe në proceset e tjera gjyqësore të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP).

Myslimanët e Arakanit që jetojnë në një fshat ngjitur me zonën ku ndodhet baza e batalionit të këmbësorisë së lehtë 552, është identifikuar nga ushtari Myo Win Tun dhe i cili ka dhënë informacione të detajuara lidhur me vendin e dy varreve masive.

Dy ushtarët në fjalë, nuk janë arrestuar por ende nuk është njoftuar se çfarë do të ndodhë me fatin e tyre.

Rohingyat dëshmitarë kanë shpjeguar brutalitetin

Basha Miya, një nga refugjatët myslimanë të Arakanit që qëndrojnë në kampet e refugjatëve në Bangladesh tha se i kanë vrarë gjyshen dhe e kanë hedhur në një prej varreve masive bashkë me 16 persona të tjerë nga fshati Thin Ga Net.

Miya tha se qan herë pas here kur kujton gjyshen dhe se e ndjen veten keq që nuk ka mundur t’i bëjë një ceremoni të përshtatshme mortore.

Dëshmitarët nga Arakani kanë thënë se ushtarët kanë mbyllur me buldozerë gropat pas hedhjes së trupave në varret masive.

Po ashtu edhe Bashir Ahmed nga fshati Zin Paing Nyar tha se ushtarët erdhën në fshatin e tyre më 26 gusht 2017 dhe hapën zjarr kundër të gjithë atyre që u dolën përpara.

“Na dogjën shtëpitë. Tashmë nuk na ka mbetur asgjë”, tha Ahmed.

“Pak drejtësi është më mirë se mos sigurimi i drejtësisë për askënd”

Matthew Smith, kryetari i organizatës për të drejtat e njeriut “Fortify Rights” qendër në Bangkok tha se ky është një moment i madh për muslimanët e Arakanit dhe për popullin e Mianmarit që përpiqet për drejtësi.

Smith njoftoi se këta ushtarë në GJNP mund të jenë kriminelët e parë nga Mianmari dhe dëshmitarët e parë brenda tij.

Payam Akhavan, ekspert i ligjit ndërkombëtar në Universitetin McGill në Kanada, këshilltari për Bangladeshin në hetimet e GJNP-së lidhur me myslimanët e Arakanit tha se dy ushtarët duhet të japin llogari në mënyrë që edhe 600 mijë Rohingya që ndodhen në Mianmar të mos përballen me një brutalitet të ngjashëm.

“Mosndëshkimi nuk është alternativë. Pak drejtësi është më mirë se mos sigurimi i drejtësisë për askënd”, tha Akhavan.

Më gusht 2017 në Buthidaung dhe Maungdaw batalionet e këmbësorisë së lehtë 353 dhe 565 kryen “operacione të spastrimit”.

Spastrimi etnik kundër muslimanëve të Arakanit

Në vitin 2012 në Arakan u shfaqën konflikte mes budistëve dhe myslimanëve ku si pasojë e ngjarjeve, mijëra persona nga të cilët shumica myslimanë, u masakruan dhe qindra shtëpi dhe biznese u dogjën.

Ushtria e Mianmarit dhe nacionalistët budistë filluan dhunën masive duke treguar si arsyetim sulmet e njëkohshme më 25 gusht 2017 në stacionet kufitare në Arakan.

Në një raport të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit “Ontario”, të publikuar më gusht 2018 thuhet se që nga 25 gushti 2017 mbi 24 mijë Rohingya u vranë nga ushtria e Mianmarit dhe që po ashtu nga ushtarët 34 mijë Rohingya u hodhën dhe u dogjën në zjarre ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën.

Gjithashtu sipas raportit 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga pjesëtarët e ushtrisë së Mianmarit.

Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut nëpërmjet pamjeve satelitore kanë treguar se qindra fshatra janë shkatërruar.

Organizatat ndërkombëtare dhe ato të OKB-së për të drejtat e njeriut, dhunën kundër myslimanëve Rohingya të Arakanit e konsiderojnë si “spastrim etnik” ose “gjenocid”./ AA

FOTO GALERI
8/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA