Eksperti kryesor amerikan për sëmundjet ngjitëse, Dr. Anthony Fauci, tha të mërkurën se pezullimi nga kompania AstraZeneca e testimeve të saj përfundimtare globale për vaksinën eksperimentale për COVID-19 dëshmon për efikasitetin e masave mbrojtëse që janë pjesë e këtyre testimeve.
“Është e rëndësishme të theksojmë se kjo është arsyeja pse kemi faza të ndryshme të testimit, për të përcaktuar nëse këto kandidatura (vaksinash) janë të sigurta”, tha zoti Fauci në një intervistë me “CBS This Morning”. “Është vërtet njëra prej valvulave të sigurisë në testime të tilla”. Kompania gjigande britaniko-suedeze e farmaceutikës ndaloi testimet pasi një nga pjesëmarrësit vullnetarë u sëmur pas marrjes së ilaçit eksperimental.
“Është fatkeqësi që kjo ndodhi, dhe të shpresojmë se do të jenë në gjendje të vazhdojnë me pjesën e mbetur të testimit”, tha zoti Fauci. “Por, nuk dihet. Duhet të hetojnë më tej”. Kompania bëri një deklaratë të martën ku tha se pauza në testim është një “veprim rutinë, që duhet të ndodhë sa herë ka një sëmundje ndoshta të pashpjegueshme në ndonjë nga testimet, ndërkohë që bëhen hetime për t’u siguruar integriteti i testimeve”.
AstraZeneca zhvilloi vaksinën AZD1222, në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit në Britani. Vaksina është në fazën e testimit masiv 2 dhe 3 në disa vende, mes tyre Shtetet e Bashkuara, Britania, Brazili, Afrika e Jugut dhe India. AZD1222 është një prej tre vaksinave për COVID-19t që janë në fazën 3 të testimit në Shtetet e Bashkuara. Kompania nuk bëri të ditur natyrën e sëmundjes së pjesëmarrësit, por gazeta “New York Times” raporton se vullnetari, me qendër në Britani, u diagnostikua me mielit transversal, një sindromë inflamatore që prek palcën kurrizore dhe shpesh shkaktohet nga infeksione virale. Por gazeta tha se nuk dihet nëse është e lidhur direkt me vaksinën AZD1222.
Disa orë para se të njoftonte pauzën e testimit të vaksinës COVID-19, AstraZeneca u bashkua me tetë prodhues të tjerë të ilaçeve duke u zotuar të mos kërkojnë miratim nga entet rregullatore të qeverisë amerikane për ndonjë vaksinë, derisa të gjitha të dhënat tregojnë se ajo ishte e sigurt dhe efektive. Shefat ekzekutivë të nëntë kompanive, ndër to Johnson & Johnson, Merck, Moderna dhe Novavax, si dhe kompanitë që menaxhojnë dy projekte të përbashkëta vaksinash, Pfizer dhe BioNTech, si dhe Sanofi dhe GlaxoSmithKline, lëshuan një deklaratë duke premtuar se ata “do të bënin kërkesën për miratim ose autorizim për përdorim emergjent pas demonstrimit të sigurisë dhe efikasitetit përmes një studimi klinik të fazës 3 që është projektuar dhe kryer për të përmbushur kërkesat e ekspertëve të autoriteteve rregullatore”, përfshirë Administratën Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA).
Drejtuesit thanë se ata “gjithmonë do ta bëjmë sigurinë dhe mirëqenien e individëve të vaksinuar përparësinë tonë kryesore”. Premtimi i përbashkët i pazakontë kishte për qëllim lehtësimin e frikës në rritje nga ekspertët e shëndetësisë se kompanitë farmaceutike janë nën presion të konsiderueshëm politik për të zhvilluar dhe futur shpejt në treg një vaksinë për COVID-19. Presidenti Donald Trump ka sugjeruar vazhdimisht se një vaksinë e suksesshme mund të jetë gati para 3 nëntorit, datës së zgjedhjeve presidenciale.
Por Moncef Slaoui, këshilltari kryesor për vaksinën i Presidentit Trump dhe bashkë-drejtor i nismës së administratës, Operacioni “Warp Speed”, që po financon shumë nga përpjekjet për të zhvilluar, testuar dhe prodhuar një vaksinë të mundshme, i tha Radios Publike Kombëtare (NPR) javën e kaluar se është “shumë e vështirë” që një vaksinë të autorizohet para ditës së zgjedhjeve.
Kombet e Bashkuara po paralajmërojnë që pandemia mund të kthejë pas përparimin e dekadave të tëra në uljen e vdekjeve të parandalueshme të fëmijëve.
Një raport i ri nga tre agjenci të OKB-së – UNICEF, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Divizioni i Popullsisë i Departamentit të OKB-së për Çështjet Ekonomike dhe Sociale – si dhe Banka Botërore thonë se kishte pak më shumë se 5 milionë vdekje të parandalueshme në 2019, krahasuar me 12.5 milion në vitin 1990.
Por, raporti gjithashtu zbuloi se 68% e të anketuarve në 77 vende raportuan të paktën disa ndërprerje në kontrollet fizike të fëmijëve dhe vaksinimet. Pjesa më e madhe e ndërprerjes është për shkak të frikës së prindërve se fëmijët e tyre do të infektohen me virusin. “Komuniteti global ka arritur shumë në eleminimin e vdekjeve të parandalueshme të fëmijëve, për të lejuar që pandemia COVID-19 të na ndalë në rrugën tonë”, tha Drejtorja Ekzekutive e UNICEF-it Henrietta Fore në një njoftim për shtyp.
“Kur fëmijëve u mohohet qasja në shërbimet shëndetësore sepse sistemi është i mbingarkuar dhe kur gratë kanë frikë të lindin në spital nga frika e infektimit, ato gjithashtu mund të bëhen viktima të COVID-19”, tha zonja Fore. Pandemia gjithashtu vazhdon të ndikojë në aktivitetet e zakonshme anembanë globit. Kryeministri britanik Boris Johnson pritet të lëshojë një urdhër të mërkurën duke kufizuar numrin e njerëzve që marrin pjesë në shumicën e aktiviteteve sociale në gjashtë, nga 30 aktualisht. Kufiri i ri, do të hyjë në fuqi javën e ardhshme, pasi Britania po përjeton një rritje prej gati 3’000 rastesh të reja çdo ditë me COVID-19 në javët e fundit, shifra më e lartë ditore që nga maji.
Dhe zyrtarët në Los Anxhelos, Kaliforni, kanë lëshuar një urdhër që ndalon shumicën e aktiviteteve për Halloween-in, të zhvilluara tradicionalisht më 31 tetor. Aktivitetet e ndaluara përfshijnë trokitjet tradicionale derë më derë, kur fëmijët e veshur me kostume trokasin për të marrë ëmbëlsira, si dhe një aktivitet të ngjashëm që përfshin lëvizjen nga një makinë në tjetrën. Aktivitetet brenda dhe jashtë, duke përfshirë karnavalet, festivalet dhe “shtëpitë e magjepsura” janë gjithashtu të ndaluara. Zyrtarët e qarkut të Los Anxhelosit thanë se kishin regjistruar gati 250’000 raste me koronavirus dhe se 6’036 njerëz vdiqën nga sëmundja që nga fillimi i pandemisë./VOA
Top Channel