Zyrtarët turq dhe grekë u takuan në selinë e NATO-s për bisedime që synojnë parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm ushtarak në Mesdheun lindor.
Përfaqësuesit e të dy vendet anëtarë të aleancës ushtarake duhet të ishin takuar javën e kaluar, por bisedimet u shtynë. Jens Stoltenberg është përpjekur të ndërhyjë për të zbutur tensionet me qëllimin të parandalohet një acarim i rrezikshëm i situatës nga incidente të tilla siç ishte përplasja mes anijeve ushtarake turke dhe greke muajin e kaluar.
Anijet greke ishin në vëzhgim të një mjeti lundrues turk që bënte kërkime për naftë dhe gaz në ujërat e diskutueshme mesdhetare në perëndim të Qipros, një operacion që Greqia e ka dënuar si të paligjshëm. Ankaraja dhe Athina e shikojnë këtë zonë si pjesë të shelfit të tyre kontinental.
Greqia thotë se çdo bisedim mes palëve do të varet nga largimi i anijes eksploruese turke nga ujërat e diskutueshme, por Turqia ngul këmbë se nuk mund të hyjë në negociata me parakushte.Bisedimet teknike në selinë e NATO-s nuk do të trajtojnë çështjet thelbësore për mosmarrëveshjet territoriale, por në to mund të diskutohet mbi krijimin e një linje të posaçme komunikimi midis ushtarakëve të të dyja vendeve.
“Turqia vazhdon të mbështesë përpjekjet për zgjidhjen e çështjes përmes dialogut dhe pa ndonjë parakusht”, deklaruan burime të palës turke.
Top Channel