“Burri i huaj do 6 mijë euro si fillim, pasi ka tre gjyqtarë dhe nga dy secili, për te mos llogaritur më pas edhe avokatin”.
Kjo është një nga fjalitë e transkriptuara që tregojnë gjurmët e aferës korruptive me të dyshuar gjyqtaren Mimoza Margjeka.
Oltion Bali u arrestua në datën pesë dhe menjëherë në datën 7 korrik familja dhe dashamirësit fillojnë dhe i bien telefonit me të vetmin qellim, djali i tyre të shkojë në shtëpi. E gjitha kjo ka një çmim prej 6 mijë euro për të cilin e ëma Afërdita shprehet e shqetësuar dhe pyet se ku do t’i gjente paratë. Përgjimet tregojnë se edhe ajo filloi telefonatat duke kërkuar ndihmë.
Ne vazhdën e përgjimeve edhe ambientale, palët takohen në një lokal në Korçë, ku si ndërmjetësues dyshohet Klodian Zhilla. Teksa e ëma e të arrestuarit telefonon herë pas here djalin tjetër edhe ky i përfshirë në aferë, ai telefonon me ankth avokatin Demiraj duke e pyetur a ka ndonjë gjë të mirë?
Ajo për të cilën flasin palët është negociata për të paguar paratë ditën kur vendimi u zbut me kushtin e garancisë pasurore. Agjentët përshkruajnë se gjatë vëzhgimit në ambientet e jashtme u shfaq në distance edhe një grua me fustan me lule, e cila më pas udhëtoi drejt gjykatës dhe u identifikua si Mimoza Margjeka. Brenda së njëjtës ditë, avokati Demiraj telefonon ndërmjetësuesin dhe i thotë mbaroi kjo punë dhe një minutë më pas, Nejton Bali telefonon të ëmën dhe i jep lajmin e mirë: Orioni doli nga burgu.
Top Channel