Cakaj në Pragë: Republika Çeke mbështet fuqimisht zgjerimin e BE në Ballkanin Perëndimor

10/09/2020 16:39

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, gjatë qëndrimit në Pragë zhvilloi edhe një takim zyrtar me Ministrin e Jashtëm të Republikës Çeke, Tomáš Petříček.

Gjatë takimit homologët diskutuan veçanërisht për rëndësinë e rritjes së ndërveprimit ekonomik mes dy vendeve.

“Mbajtja e mbledhjes të Grupit të Përbashkët të Punës për Bashkëpunim Ekonomik dhe fillimi i fluturimeve direkte Tiranë-Pragë, janë hapa të domosdoshëm për të forcuar tutje lidhjen ekonomike mes dy vendeve.”- u shpreh Cakaj në një reagim në Facebook.

Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua edhe për rëndësinë e mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë e Bashkimit Evropian.

Republika Çeke, theksoi Ministri detyrë Cakaj, është një mbështetëse e fuqishme politike e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe mbetet e gatshme edhe për dhënien e ndihmës teknike në rrugën evropiane të Shqipërisë.

“Në fund, vlen të theksohet se bashkëpunimi në rrafshin e diplomacisë shumëpalëshe mbetet jashtëzakonisht i vyer. Krahas bashkëpunimit, veçanërisht në dimensionin njerëzor, në kuadër të OSBE-së, tashmë ekziston edhe mbështetja për përpjekjen e Shqipërisë për t’u bërë anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit 2022-2023.”- përfundoi reagimin në lidhje me takimin e zhvilluar Kryediplomati Cakaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA