Tërmeti ndryshon Kodin Penal/ Deri në 15 vite burg nëse heq kolonat e pallatit

09/09/2020 16:43

Në prag të 1 vjetorit të tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit qeveria ka depozituar në Kuvend një projektligj përmes së cilit parashikohet ashpërsimi i Kodit Penal për fushën e ndërtimit.

Drafti parashikon dënim deri në 5 vite burg për personat të cilët ndërhyjnë me dashje duke shtuar apo ndryshuar konstruksionet e banesave ekzistuese. Kur shembja ka pasoja të rënda materiale atëherë dënimi shkon nga 5 deri ne 10 vite burg.

Ashpërsimi më i madh është kur shembja e ndërtimit shkakton humbje në jetë njerëzish ashtu sikurse ndodhi nëntorin e shkuar në Durrës dhe Thumanë, ku dënimi shkon nga 7 deri në 15 vite burg. Për ndërtimet e reja, dënimi penal do të nisë nga projektuesi, zbatuesi e deri tek ndërtuesi, të cilët do te dënohen nga 1 deri në 5 vite burg nëse lejojnë një ndërtim jashtë standardeve ligjore.

I njëjti denim parashikohet edhe për ndërtuesit në rast se nxisin ndërtime jashtë kritereve teknike përmes parave. Dënimi rritet shkallë shkallë nëse sjell pasoja materiale deri në 10 vite dhe humbje jetësh njerëzore deri në 15 vite bug. Ne relacionin , i cili bashkëshoqëron ndryshimin e dy neneve te kodit penal sqarohet se këto ndryshime vijnë si pasojë e boshllokut ligjore te cilat u evidentuan pas fatkeqësisë natyrore të 26 nëntorit të vitit 2019, ku ka rezultuar e provueshme se objektet e shembura dhe të pabanueshme janë produkt i kryerjes së veprimeve të kundërligjshme të projektuesve, zbatuesve, mbikëqyrësve dhe kolauduesve.

Drafti kërkon shumicë të cilësuar votash ndërkohë parashikohet të kalojë në Parlament në 1 vjetorin e termetit shkatërrimtar, i cili mori jetën e 51 personave të pafajshëm.

Top Channel