Vaksina dhuratë për Shqipërinë/ Vendi ynë në listën e ndihmës, BE siguron 400 milionë doza

08/09/2020 19:57

Astra Zeneca ka shtuar përpjekjet për afrimin e sa më shumë partnerëve të prodhimit në mbështetje të planit të saj global i cili e ka vendosur në krye të garës për krijimin e një vaksine kundër Covid 19.

Me prodhuesin bio-farmaceutik britaniko-suedez, partner me Oxfordin, bashkoi forcat edhe kompania amerikane Albany Molecular. Qëllimi është që të arrijnë të prodhojnë 3 miliardë doza të vaksinës çdo vit. Pikërisht me Astra Zenecën, Komisioni Europian ka nënshkruar së fundi një kontratë për blerjen e 400 milionë vaksina anti COVID-19 për të gjithë vendet anëtare të bllokut. Njoftimi sqaronte se BE-ja do t’u dhurojë vaksina anti COVID -19 nga AstraZeneca vendeve me të ardhura të ulta dhe të mesme. Ketu bën pjesë dhe Shqipëria e i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor. Me herët, shefja e KE-së, Ursula von der Leyen e kishte paraprirë një njoftim të tillë.

“Bashkëpunimi global është e vetmja mënyrë për të kapërcyer një pandemi globale. Komisioni njoftoi kontributin prej 400 milionë euro për COVAX për bashkëpunuar në sigurimin e vaksinave të ardhshme nga të cilat të përfitojnë vendet me të ardhura të ulëta e të mesme. Kam bindjen se kjo do të na afrojë më shumë se objektivin tonë: mposhtjen e këtij virusi së bashku”.

Shqipëria është pjesë e Covax, një iniciativë globale që përfshin shumë vende dhe partner ndërkombëtarë nën drejtimin e OBSH-së. Me hapjen e shkollave, vendin ynë përballet me rrezikun e një shtimi të infektimeve ndërsa është krijuar rrezikshëm iluzioni se rreziku i infektimit ka kaluar dhe jeta po kthehet në normalitet.

Top Channel