TIRANË- Teksa që prej datës 2 shtator kanë nisur regjistrimet në Universitet për maturantët fitues të një dege studimi, shumë maturantë të tjerë janë në pritje që të përzgjidhen si fitues të degëve që ata kanë preferuar.
Por maturantët që janë në pritje të fitimit të një të drejte studimi, ata kanë vërejtur parregullsi në procesin e renditjes në degët e përzgjedhura prej tyre. Në redaksinë e Top Channel kanë ardhur shumë denoncim nga maturantët të cilët shprehen se po i largohen shumë vijës së kuqe që i bën fitues të një degë, në Fakultetin Ekonomik por jo vetëm.
Disa prej tyre shprehen se problemi kryesor është hasur tek Fakulteti Ekonomik, ku ka pasur edhe nga ato raste ku maturantë edhe pse me mesatare më të ulët nga ata janë shpallur fitues, ndërsa vetë ata kanë rënë shumë poshtë në renditje për të fituar të drejtën e studimit në degën e përzgjedhur.
I tillë është rasti i maturantes, A.F e cila shprehet për Top Channel se një mikesha e saj fitoi të drejtën e studimit në degën e Financës me mesataren 8.7, ndërsa vetë ajo shprehet se edhe pse zoton mesataren 9.3, jo vetëm që nuk është shpallur fituesi por ka rënë me disa vende në renditje.
A.F shprehet se në orën 12:53 ishte në vendin e 291, ndërsa vetëm pas një ore ajo zbriti në vendin e 357.
Të njëjtin problem denoncoi edhe maturanti S.Gj. Maturanti shprehet se ka përzgjedhur Financën por edhe pse ishte lart në renditje sipas tij, ra në disa pozicione më poshtë.
“Unë po pres të regjistrohem në shkollë. Dua të regjistrohem tek financa dhe sot në orën 1pm lista ndryshoj duke u ulur në kuotat për fazën e ardhshme. Ndërsa pak orë më vonë ndryshuan duke u larguar nga pozicioni. Kjo ka ndodhur me të gjithë. Kanë ndryshuar gjithë listat”deklaron S.Gj.
Ndërkohë një tjetër maturant pretendon se ka ndërhyje në sistemin e renditjes së përzgjedhjes për degët e caktuar. sipas këtij denoncuesi, ka persona të korruptuar të cilët po ndërhyjnë në sistem dhe po regjistrojnë maturantë që nuk e meritojnë të drejtën e studimit.
“Ditën e sotme në Fakultetin e ekonomisë por edhe në fakultete të tjera është parë që disa persona kanë ndërhyrë në listat e garuesve, pra, disa persona të korruptuar pranë fakulteteve po regjistrojnë persona që nuk u ka dalë dega por që ofrojnë para në këmbim të degës. Qindra studentë po ankohen sepse në renditjen e tyre, janë larguar nga vija e kuqe me dhjetëra vende. Në vend që t’i afrohemi vijës së kuqe po i largohemi në mënyrë të pakuptimte dhe po na marrin degën nga duart. Ky është shqetësimi i qindra maturantëve” shprehet maturanti që denoncoi shqetësimin e tij. “
Edhe për maturanten XH.P, është e njëjta histori. Ajo shpjegon se në përzgjedhjen e saj Inxhinieri Mjedisi, ka rënë nga vija e verdhë në të kuqe duke u ulur me disa pozicion për të fituar të drejtën e studimit.
“Ja shikoni keni rast e inxhinierisë të mjedisit. Isha me të verdhë u bëra e kuqe. Sot është vërejtur. Problemi ma komunikoi një shok”
Mesazhe të tjera të maturantëve:
“Ju lutem na ndihmoni dhe merrini në konsiderate këto që po ju them pasi të gjitha janë të vërteta. Studentet nga e gjithë Shqipëria janë të revoltuar dhe po shprehin shqetësimin vetëm në rrjete sociale pasi nuk kanë ku të drejtohem. Nëse jeni pranë qytetarëve, duhet ta bëni problem këtë shqetësim! Bëjeni për të ardhmen e qindra studenteve që po luhet me to!”
“Përshëndetje , jam një maturante që dua të ndjek studimet në Tiranë dhe sot dikush ka ndërhyrë tek listat sepse në fillim u afrova shumë me degën që doja pastaj renditja ndryshoj. Dua të dijë se çfarë po ndodh. Nuk duam që të na shkoj mundi i disa viteve kot nga disa njerëz të ultë që bëjnë kompromise.”
“Përshëndetje! Nuk di si ta shpreh me fjalë revoltimin që kam përbrenda! Se nuk ka drejtësi në këtë shtet këtë e dimë por qe të ndërhyhet në hakun e studentëve kjo është pafytyrësi e dyanshme! Fotot flasin vet!”
/ERVIN LEKA/
Top Channel