Lëvizja Vetëvendosje e kritikoi ashpër marrëveshjen për normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Uashington, duke thënë se disa nga pikat e saj janë “gabim” dhe “shkelin Kushtetutën e Kosovës”.
Zyrtarë të saj u ndalën në mënyrë të vecantë tek pika 7 e paktit, e cila lidhet pikërisht me përdorimin e përbashkët të Liqenit të Ujmanit, i cili është jetik për furnizimin e Kosovës me ujë dhe energji.
“Për herë të parë, një kryeministër i papërgjegjshëm u pajtua që Ujmani të jetë pjesë e negociatave me Serbinë. Resureset e Kosovës janë të patjetërsueshme. Këtë e përcakton edhe Kushtetuta e Kosovës”, deklaroi Glauk Konjufca i Vetëvendosjes, duke shtuar se ai që mendon t`i jape burime Serbisë, bën një krim të madh. Edhe qytetarë te thjeshtë e shohin me skepticizëm marrëveshjen e kundërshtia e pjesës më të madhe të tyre, lidhet pikërisht me Ujmanin.
“Ne nuk po na duket mirë… E kemi sjell Serbinë në Kosovë vetë.. Kalimi i saj nëpër të gjithë Kosovën prej këtu deri në Durrës deri në detin Adriatik”.
“Sipas mendimit tim nuk është bash e mirë…Nuk është bash e mirë sepse pikë së pari Ujmani disi po më duket nuk është ndarë bash si duhet, ndoshta edhe nuk është dashur të ndahet fare. …Për mua kjo nuk është e kënaqshme as për qytetar as për shtet as për askënd”.
“Dalja në bregdet për shembull nuk e kisha lavdëruar aq shumë edhe shfrytëzimin e Ujmanit nuk është e qartë shumë se çka kanë të drejtë ata serbët me shfrytëzua në Ujman. Me i sqarua gjërat dhe me qenë më transparent në Kuvend kishte me qenë më mire”.
Pikë e marrëveshjes ishte dhe lidhja e infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port në det të thellë në Adriatik, si dhe një studim fizibiliteti, me qëllim përdorimin e përbashkët të Ujmanit.
Top Channel