“S’pati ndarje të Kosovës”/ Presidenti Thaçi flet për marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë

07/09/2020 15:40

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehur mirënjohje për Shtete e Bashkuara të Amerikës për, pasi siç ka thënë “gjithmonë i kanë qëndruar pranë qytetarëve të Kosovës dhe e ka përkrahur për liri, shtet dhe integrime evropiane”.

Deklarata e Thaçit pason nënshkrimin ditën e premte, më 4 shtator, të një marrëveshjeje për normalizim ekonomik në mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë. “Me nënshkrimin e marrëveshjes”, tha Thaçi, “është konfirmuar përkushtimi i SHBA-së për përkrahjen e Kosovës”.

“Ishte ndërmarrja diplomatike më serioze e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këto dy dekada për Ballkanin Perëndimor. Gjatë këtij procesi jo të lehtë, në fakt shumë të vështirë, hasem në vështirësi, akuza, pengesa, konspiracione të shumta nga shumë anë. Me formalizimin në Shtëpinë e Bardhë, të gjitha këto u treguan të rrejshme, të pa qëndrueshme dhe paragjykuese”

Thaçi tha se Kosova mund të ketë sukses në lidershipin e SHBA-së. Ai ndërkaq u shpreh se më e rëndësishme është substanca e marrëveshjes sesa prezenca fizike.

“Sikur skena politike kosovare të ishte unike në dy tri vitet e fundit marrëveshja do të ishte më e qëndrueshme dhe do të hapte një perspektiv më të madhe për qytetarët e Kosovës dhe se nuk do t’i humbim ato vite në konspiracione, paragjykime, gënjeshtra dhe akuza. U pa se nuk ka pasur thika në Shtëpinë e Bardhë, nuk ka pasur as harta dhe ndarje të Kosovës. Por ka respektim të shtetit të Kosovës dhe fuqizim ndërkombëtar të shtetit tonë. Nuk mund të bëhet asnjë hap më tutje pa unitet politik pozitë – opozitë, Sepse vendi është i të gjithëve. Vetëm kontributi i përbashkët i të gjithëve mund të rezultojë me sukses për vendin tonë, veçanërisht në procesin për implementimin e kësaj marrëveshjeje”.

Top Channel